Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka takuar një tjetër mik të tij në Amerikë, Michael Granoff, drejtuesin e Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan. Në një postim në ‘Twitter’ Veliaj shkruan se i tregoi Granoff për ecurinë e transformimit të Piramidës në qendrën më të madhe teknologjike në Ballkan.
"Është gjithmonë kënaqësi të takoj mikun tim, Michael Granoff në New York, drejtuesin vizionar të Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan! Hidhini një sy Piramidës, për të parë se si @The_AADF, Qeveria Shqiptare dhe Bashkia e Tiranës po e transformojnë atë në qendrën kryesore IT për të rinjtë në Ballkan", shkruan Veliaj.
Teksa bashkangjitur ka vendosur edhe një artikull që prestigjiozja ‘The Economist’ i ka dedikuar tranformimit të Piramidës së Tiranës.
Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit në Ballkan, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim, me mbështetjen e ‘Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan’ - AADF.
Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë. Gjithashtu, projekti synon të krijojë simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët. Piramida do të shërbejë si një lloj inkubatori pë bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, ëeb design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.