Eriona, 'rojtarja' besnike e ‘minierës kinematografike’, 22 vite në Arkivin e Filmit, rrëfen si ua trashëguan këtë pasuri: Punojmë ‘pas kuintave’, aty është jeta ime!

18 Prill 2023, 12:46| Përditesimi: 18 Prill 2023, 13:03

  • Share

Në Arkivin e Filmit, ku trashëgohen mbi 6 mijë e 600 tituj shqiptarë, e një fond edhe më i pasur me filma të huaj, ajo është një nga rojtaret besnike...

“Unë si dhe të gjithë arkivistët e tjerë jemi njerëz që punojmë pas kuintave, asnjëherë në ballë të parë”, shprehet arkivistja Eriona Vyshka.

Specialiste e Arkivit, Eriona punon me filmin prej 22 vitesh. Rrëfen se e nisi në një kohë kur informacioni ishte i paktë, dhe iu desh ditë pas dite të zbërthente labirintin filmik që i shfaqej para syve...

“Mësova, kuptova shumë gjëra për Arkivin dhe falë edhe ndihmës së kolegeve të mia të vjetra dhe të drejtoreshës Natasha Lako. Kështu filloi gradualisht që të më pëlqente shumë kjo punë! Ishte një ambient intelektualësh ku këtu hynin regjisorë, kineastë të ndryshëm. Ishin të gjithë miq të Arkivit! Pasuritë e veçanta dhe shumë të rëndësishme, që ruheshin në Arkivin e Filmit fillova ti vlerësoja ti kuptoja dhe ti doja”, rrëfen Vyshka.

Falë arkivisteve Fondi Arkivor bëhet i aksesueshëm për studiues, kineastë e të tjerë të interesuar. Është një hallkë kyçe që lidhet më tej edhe me punën e restauratorëve a kuratorëve të filmit.

“Ne arkivistët jemi si ato milingonat që rrimë nëpër ato arkivat tona dhe vazhdimisht sigurohemi që materiali të jetë sa më i aksesueshëm”, shprehet me tej.

Katalogimi, është thelbësor për tu njohur çka ruhet në Fondin Arkivor. Në kalimin e materialeve arkivore drejt procesit të digjitalizimit, rrëfen se ka ndihmuar edhe puna e bërë nga paraardhësit.

“Redaktorët e Kinostudios kanë bërë detyrën e tyre shumë mirë, duke na lënë trashëgimi një katalog manual në kartela të shkruara në makinë shkrimi të daktilografuara, të cilin ne sot e kemi kthyer në një katalog kompjuterik ku kërkimi bëhet me fjalë kyç”, rrëfen arkivistja.

Filma artistik, dokumentarë, kronikalë a të animuar... Procesi i digjitalizimit, por edhe i restaurimit që vijon prej 12 vitesh ka rritur interesin... dhe bërë të mundur që kinemaja e vjetër shqiptare të duartrokitet përtej Shqipërisë, në qytete të mëdha të kulturës si Vjena, Berlini apo në Lion.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që Arkivin sot e shikojmë si një minierë ku ti vazhdimisht gjen materiale, po këto materiale vërtet janë bruto, po ato mund të përkthehen, të përpunohen dhe të paraqiten tek publiku në forma të ndryshme. Është si një dokument historik, ku historianët bazohen për të kuptuar të vërtetat dhe për t’i risjellë ato para publikut”, thotw Eriona.

Numri i vogël i stafit që punon në Arkiv, bën që arkivistet shpesh ti dedikohen edhe punëve të zyrës e atyre administrative. Nevoja për ndërtimin e ven druajtjeve të reja me standarde bashkëkohore për filmin është evidente, siç tregon Eriona. E megjithatë pavarësisht sfidave e mundësive, ajo ka vendosur të mos heq dorë...

“Kam pasur mundësi për zhvillimin personal, por më ka ardhur keq të largohem nga Arkivi sepse kështu është jeta ime, puna ime... Kur unë nisa punën, ne po merreshim me hedhjen e kartelave të filmit në kompjuter. Unë e kam kaluar këtë periudhën e kalimit nga analogu në digjital dhe prapë ende ka shumë punë për tu bërë në lidhje me digjitalizimin dhe gjithë kësaj periudhe unë dhe koleget e mia kemi qenë si enciklopedi lëvizëse , ato tanimë kane dale ne pension. Por para se te shkojmë tek digjitalizimi i plote, unë kam ende pune për te bere ne Arkiv, dhe do ta bej me kënaqësi”, shprehet ajo. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?