Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka renditur problematikat e sistemit të drejtësisë ndërsa shton se sot qytetarët kanë humbur totalisht besimin.
Xhixho thotë se problemet madhore nisën pa mbylljes së gjykatave në rrethe dhe grumbullimit në Tiranë të çështjeve. Mungesa e infrastrukturës si dhe ajo e gjyqtarëve ka çuar në rritje të stokut të dosjeve.
Duke e konsideruar këtë situatë si kolaps, Xhixho është shprehur se reforma në drejtësi ka dështuar plotësisht.
Postimi i Erisa Xhixhos:
Sistemi i drejtësisë në kolaps!
Shqiptarët e kanë humbur besimin te drejtësia sepse ajo nuk funksionon. Sot, mbi 90% e qytetarëve nuk arrijnë të marrin shërbim nga sistemi gjyqësor.
Është alarmante që disa vite pas fillimit të reformës në drejtësi, nuk kemi ende një sistem funksional, që t’i shërbejë qytetarit.
Harta e re gjyqësore – dështim i paralajmëruar:
Që në fillim e kemi kundërshtuar këtë hartë. Ajo jo vetëm nuk zgjidhi problemet, por i thelloi ato. Sot, kemi:
Mbyllje masive të gjykatave – 18 gjykata të mbyllura në total, përfshirë edhe të Apelit në rrethe.
Dosjet e Apelit janë përqendruar në një gjykatë të vetme në Tiranë.
Nuk u mor asnjë masë për infrastrukturën apo për shtimin e gjyqtarëve.
Sa gjyqtarë kemi për çdo 100 mijë banorë?
Shqipëria: 9.8
Kosova: 24.1
Maqedonia: 22.3
Bosnje: 29.0
Mali i Zi: 42.4
Serbia: 39.1
Mesatarja europiane: 21.9
Jemi në fund të listës në Europë dhe rajon!
Stoku i dosjeve – rekord negativ:
• 200,000 çështje janë në pritje për t’u shqyrtuar nga vetëm 267 gjyqtarë.
• Një proces mund të zgjasë deri 12–15 vjet për të kaluar tri shkallët.
Dëmi: 39 MILIONË € në 9 vite për Shqipërinë nga gjykata e Strasbugut
Për:
– Shkelje të të drejtave të njeriut
– Zvarritje procesesh
– Moszbatim vendimesh
– Shkelje të të drejtës së pronës
Kjo është drejtësia që i mohohet qytetarit të zakonshëm, që shpesh ndërron jetë pa marrë drejtësi.
Reforma në drejtësi nuk e arriti qëllimin e saj: një drejtësi të shpejtë, të drejtë dhe me integritet.
Para së gjithash, duhen të kuptojmë shkaqet që kanë sjellë këtë situatë kolapsi në sistemin e drejtësisë, në mënyrë që ta zgjidhim për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve.
Komente
