Periferi

Ermal Meta, shqiptari ynë po fiton me poezi, finesë, elegancë, zemrën e Italisë

4 Mars 2021, 20:42| Përditesimi: 4 Mars 2021, 20:51

  • Share

Në garën më të rëndësishme të këngës italiane, tani për tani, Ermal Meta është në vend të parë në renditjen e përkohshme. Shqiptari ynë i talentuar po shkëlqen me të tijën këngë-poezi: “Një million gjëra për të të thënë”. “Nuk mund të deklaroj se është shpallur tashmë që natën e dytë fituesi i Sanremo 2021”, komentoi një nga gazetarët italianë, “por do të jetë shumë e vështirë që dikush t’i afrohet perfeksionit të Ermal Metës”.

Eshtë mbresëlënëse të lexosh komentet e qindra mijëra italianëve në rrjetet sociale, fjalët e tyre, emocionet nga teksti, muzika dhe interpretimi i shqiptarit tonë, janë të jashtëzakonshme. Sa emocione! Sa njerëz preken, ndjejnë dhe shijojnë poezinë. “Teksti poetik më i bukur”, shkruan “Vanity Fair” dhe vazhdon me këto fjalë: “… I aftë të prekë shpirtin, Ermal Meta tregon me këngën e tij plot sharm dhe elegancë, duke përkëdhelur me delikatesë të skajshme vorbullën e emocioneve njerëzore dhe të dashurive të papritura, të mbetura kushedi për sa kohë pezull…”

Kënga e Ermal Metës si një spirale e lehtë, e padukshme arrin në humnerat e thella të krijuara në shpirtrat e brishtë të këtyre kohëve kovidiane e duket sikur stimulon më të mirën tek ne. E bën shtruar, pa zhurmë, me fjalën dhe muzikën, pa mendjemadhësi e mbi të gjitha hap pas hapi, punë pas pune, durim pas durimi dhe shumë, shumë përkushtim. Ashtu siç bëhet me të vërtetë e bukura dhe e mira. Dhe këtë, një vend si Italia e di dhe e peshon mirë.

Suksesi dhe karriera e Ermal Metës në Itali, ashtu si edhe i balerinëve dhe këngëtarëve tanë lirikë, është 100 fish më e vështirë, e 1000 fish më e merituar: Të bësh për vete vendin e Domenico Modugno-s, Carla Fracci-t, Luciano Pavarotti-t duhet të jesh i jashtëzakonshëm dhe Ermal Meta po tregon se është i tillë.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?