Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka komanduar në krye te Gardës së Republikës Simon Zerecin, i cili mbante detyrën e nëndrejtorit në këtë institucion. Komandimi i Zerecit vjen pak ditë pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm Ermal Onuzit.
Onuzi u dorëhoq me 3 qershor vetëm 9 muaj pasi u emërua në këtë detyrë ndërsa arsyet nuk u bënë të ditura.
Zereci e ka nisur karrierën ushtarake në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Ai ka kryer studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjithëarmësh”.
Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative; Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.
Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës. Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.
Në vitin 2020 mori gradën Kolonel, e cila me sistemin e ri të gradave u konvertua në Drejtues i Parë. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, u emërua Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Gardës dhe iu dha grada Drejtues i Lartë.
Komente

Bravo Simoni është një kuadër me vlera dhe integritet....
Përgjigju