Tirane- Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi sot (12 shtator) ngritjen e një komisioni etike për të hetuar procedurat parlamentare të ndryshimeve në ligjin “Për Gardën e Republikës” si dhe votimin e tij, pasi 6 muaj pas miratimit të tyre u zgjodh në krye të Gardës kandidati i paralajmëruar nga opozita.
Më 10 shtator 2024 Ermal Onuzi u prezantua nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha si kreu i ri i Gardës së Republikës. Në njoftimin për shtyp të shpërndarë atë ditë nga ministria e Brendshëm shkruhej se Onuzi ishte përzgjedhur pas një procesi të hapur konkurrimi, me kandidatura të mira e profesionistë të fushës së sigurisë.
Por emri i Ermal Onuzit u përmend nga Gazment Bardhi në seancën e 22 marsit 2024, kur do të miratoheshin ndryshimet e ligjit të ri të gardës.
Gazment Bardhi: Në fakt drejtori i ri i Gardës së Republikës ishte zgjedhur përpara ndryshimeve në ligjin për gardën e Republikës që u miratua nga ky parlament si investim
Spiropali ndërhyn: Zoti Bardhi kjo nuk është procedurë.
Gazment Bardhi: Për ju korrupsioni politik nuk është procedurë në mars të 2023 kur ju miratoni ndryshimet e kritereve në ligjin për Gardën e Republikës ju kanë thënë që ligji është investim, me emër e mbiemër, për të zgjedhur në krye të gardës së Republikës, një njëri që vinte nga jashtë sistemit. E mohuat dhe votuat sipas vullnetit të Edi Ramës. Gjashtë muaj më pas emri që ju thamë për të cilët po ndryshonit ligjit u zgjodh me konkurs të hapur tha ministri i Brendshëm, ndërkohë që atë e kishim zgjedhur ne. Jua thamë në mars 2024. Është regjistruar me zë e figurë. Nuk ka akt më korruptiv se të detyrosh 74 kolegë të mazhorancë të votojnë për interesat e një individi një ligj të porositur. Ky është korrupsion. Është rasti klasik i korrupsionit. Përpara se të marrim hapat ju si kryetare kvuendi do të duhet të ngriti një komision etike për të verifikuar si u sponsorizua ligji, kush e solli ligjin në Kuvend, kush i detyroi deputetët të votonin një emër që Edi Rama e firmosi në shtator 2024, por në fakt e kishte zgjedhur si investim i një oligarku që në shkurt 2024. Solli ligjin këtu, i detyroi deputetët të votonin dhe më pas bëri sikur ndoqi procedurën dhe coi atë që ishte dhe porositësi i ligjit. Ligjet me porosi janë kthyer në traditë, rutinë e normalitet në këtë maxhorancës. Ngrini komision etike e hetoni nga pikëpamja adminsitrative si erdhi ligji, kush e solli ligjin,si u votua dhe pse u votua. më pas opozita do të ndjekë të gjithë rrugën e vet ligjore, pasi jemi para një ligji që përbën korrupsion" tha sot (12 shtator) Bardhi.
Replika erdhi nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili i quajti akuzat një gënjeshtër, ndërsa tha se konkursi ka qenë serioz dhe Onuzi është përzgjedhur sipas kritereve ligjore.
"Tani të dalim te gënjeshtra e dytë. Unë nuk e kuptova pjesën e Komandantit të Gardës, sepse konkursi ishte shumë serioz. Unë nuk e kam idenë e parashikimeve që keni bërë ju dhe nuk keni pse të shqetësoheni në largpamësinë tuaj për përzgjedhjen e profilit, duke e gjetur ju fituesin para se ai të konkurronte. Pra, ju keni gjetur edhe fituesin para se të konkurronte.
Kjo është ajo që po mundohem t’ju shpjegoj: Komandanti i Gardës së Republikës është përzgjedhur mbi frymën e ligjit, ku qëllimi kryesor ishte rregullimi i kohëzgjatjes së ruajtjes së personaliteteve dhe banesave, përmirësimi i të drejtës dhe kompensimit financiar për punonjësit dhe drejtuesit e Gardës. Dhe qëllimi numër tre ishte hartimi i një procedure dhe përcaktimi i kushteve për kriteret për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Gardës. Pra, këto kritere ndryshojnë komplet me kriteret e janarit 2021. Faleminderit", tha Ministri.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali nuk iu përgjigj kërkesës së Bardhit për komision etike.
Më 7 shtator u njoftua përzgjedhja e Ermal Onuzit si kreu i ri të Gardës me anë të një konkursi ku pjesëmarrës ishin 6 kandidatë, përfshi edhe ish-kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didi.