Astrit Kalaja

Opinion

Ermal Peçi: Etje për drejtësi me gjak

9 Tetor, 15:06| Përditesimi: 9 Tetor, 15:07

  • Share

Kur mora lajmin për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, nuk pashë thjesht një tjetër ngjarje të dhimbshme. Pashë një tjetër gur që i hiqet themeleve të një shoqërie që po kërkon drejtësinë me gjak. Një tjetër goditje që nuk na tronditi mjaftueshëm sa për të heshtur urrejtjen dhe për të kuptuar se ne, të gjithë ne, jemi pjesë e një spiraleje që shkon përherë e më poshtë.

Në një bisedë me mikun tim, të cilin e thërras me shaka “Niçe” — një ateist i bindur dhe shpesh cinik, ndryshe nga unë që besoj se Zoti nuk i lë as vrasësit pa gjykuar — më foli për një shfaqje që ai ishte aktor edhe unë e ndoqa si mik për të parë aftësitë e tij në aktrim. Bëhej fjal parë për shfaqen në teatër. “Krim dhe Ndëshkim” i Dostojevskit. Aty, personazh i veprës Raskolnikovi, përpara se të kryejë aktin monstruoz të vrasjes, thotë një fjali që duhet të na ndalojë të gjithëve për një çast:

“Kur u nisa të vras plakën, vrava më parë veten.”

Dhe miku im më tha: “E kupton? Në pjesën më të madhe, ne jemi thjesht të vdekur që vrasim.”

Një fjali që më mbeti në mendje gjithë ditën. E që sot më përplaset para syve, teksa në vend që të trishtohemi për vrasjen e një gjyqtari, rrjetet tona sociale nisin të analizojnë, të gjykojnë dhe shpesh… të justifikojnë.

Si arritëm deri këtu?

Ku është pikënisja e këtij mëllefi të përbashkët, që ka nevojë për gjak, për linçim, për përçudnim publik?

A është vërtet drejtësia ajo që kërkojmë, apo duam thjesht një spektakël gjakderdhjeje për të qetësuar frustrimet tona kolektive?

Në një kohë kur jeta e një njeriu nuk peshon më shumë se një status në Facebook, dhe ndjeshmëria është zëvendësuar nga cinizmi, duket se e kemi harruar që drejtësia nuk kërkohet me dhunë. Ajo ndërtohet. Me sistem, me institucione, me durim dhe me një minimum morali.

Por moralin e kemi zëvendësuar me urrejtjen.

Drejtësinë e kemi ngatërruar me hakmarrjen.

E fajtorin e kemi projektuar te çdo figurë publike - mjeku, gjyqtari, polici, gazetari, politikani - kushdo që është në një pozicion pushteti, shihet si një armik potencial që meriton ndëshkim, jo me ligj, por me plumb.

Astrit Kalaja nuk është një rast i izoluar. Është pasqyrimi i një shoqërie që po shpërbëhet nga brenda. Një shoqëri që ka humbur besimin, por edhe vetëkontrollin. Një shoqëri që nuk do më drejtësi, por dënim. Dhe jo një dënim përmes sistemit, por dënim përmes turmës.

Kush e mbron sot drejtësinë në një vend ku çdo njeri që përmendet në media përballet me një inkuizicion dixhital që s’pyet për fakte, por vetëm për egërsi?

Kush e ngre zërin për të thënë se edhe gjyqtari ka një jetë, një fëmijë, një plagë të tijën?

Apo do të vazhdojmë të vrasim njëri-tjetrin, duke e quajtur çdo krim një akt rebelimi, një “drejtësi të vonuar”?

Nuk mund të glorifikosh askënd që vret drejtësinë, sepse në atë moment vret edhe të vetmen shpresë që kemi për të mos ecur të gjithë të vdekur, siç e tha Raskolnikovi.

Po, kemi etje për drejtësi. Por drejtësia nuk është gjak. Dhe nëse nuk kuptojmë këtë, do të bëhemi të gjithë pjesë e një krimi më të madh: krimi i pranimit të së keqes si normë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?