Ermira Babaliu

Ermira Babaliu: Mos mohoni gjakun e heronjve! Jam mbesa e heroit Reshit Çollaku dhe disidentit Qani Çollaku

7 Dhjetor 2019, 10:14| Përditesimi: 7 Dhjetor 2019, 14:20

  • Share

“Një ditë maji ty të takova...” Takimi ynë, sigurisht që do të niste me këtë këngë. Një hit që i ka rezistuar kohës. Këngëtarja, Ermira Babaliu, një timbër i rrallë lirik, që i erdhi skenës së festivalit në Radiotelevizionin Shqiptar në vitet ‘85, rrëfen në një intervistë ekskluzivisht  për Report, një pjesë të panjohur të historisë së saj familjare.

Udhëtojmë pak çaste me këngëtaren në skenat e festivaleve, ku ajo u dallua që në ngjitjen e parë në skenë në moshën 14-vjeçare, në vendlindjen e  saj Pogradec, me këngën “Erdh' pranvera”, ku u nderua me çmimin e parë për zërin e veçantë.

Ermira, ju vetë sa afër dhe pranë jeni pranë asaj krijimtarie, të cilën ia keni dhënë publikut, popullit shqiptar në festivalet e këngës në Radiotelevizion?

-Unë ndjehem pothuajse e njëjtë me publikun, dhe jo vetëm me këngët e festivaleve, por edhe këngët e mëvonshme apo më të hershmet, falë teknologjisë.

Ngjitjen e parë në skenën e festivalit kujt ia dedikon?

-Kemi bërë një koncert të shkurtër me estradën e Pogradecit në  Televizion, dhe në atë kohë Virgjil Kule, drejtor me sa më kujtohet atëherë, thotë: “Kjo vajza këndon bukur! Bëjini, një gjysmë ore një koncert televiziv.” Dhe unë besoj se skenën e festivalit ua dedikoj drejtuesve të Radiotelevizionit shqiptar.  Në skenë e festivalit unë duhet të kujtoj se cila ka qenë kënga e parë, sepse në të njëjtën skenë unë jam ngjitur me këngën “Një zog i bardhë”, që ishte festivali i interpretuesve. Janë ato hapat e para, ku ty të besohet apo nuk të besohet që ngjitesh në këtë lloj skene..

Me cilën nga këngëtaret e shquara ke pasur kontaktin më të ngrohtë që të ka përgëzuar edhe për mënyrën sesi këndon?

-Ua, sa bukur që më pyete për këtë! Irma Libohova. Edhe të tjerët. Do të mërzitem, sikur të harroj ndonjë emër dhe do t’ju them më fal. Jo vetem Irma Libohova, po me të gjitha tani. Kemi shkuar shumë mirë.

Kishte ndonjë kompozitor që preferonte të të kishte ty zërin e muzikës që kompozonte?

-Ka qenë Ilir Dangëllia. Jo rastësisht, sepse ka qenë në atë kohë drejtues i Qendrës Kulturore Studenti. Ndërkohë që kam kënduar në festival, madje në një festival, me pikë ishte atëherë. Mandej kam marrë pikët maksimale me një kompozim të Flamur Shehut me këngën “Një jetë nga jeta ime”. Dhe pastaj kam kënduar këngë të Vladimir Kotanit, të Arjan Avrazit, të Demokrat Shahinit, që prej 82-shit dhe tani.

Të ka qëlluar të bisedosh me Vaçe Zelën?

-Pooo! Vaçe Zela më ka ftuar në shtëpinë e saj dhe më ka përgëzuar për zërin dhe natyralitetin…Nuk kishte barriera të mëdha, por gjithsesi; e para unë kam mbaruar për filozofi dhe  isha sipas meje rastësisht aty, por ndërkohë pothuajse nuk njihja askënd në hapat e mia të para në rrethet artistike të Tiranës. Kështu që këto lloj suportesh nuk i harroj dhe i falënderoj pa fund. 

Ermira Babaliun, publiku e deshi për zërin e ëmbël, e nuk munguan më pas çmimet e dyta e të treta në Festivalin e 25-të dhe të 26-në RadiotelevizionKudo, atëherë dëgjoja që të simpatizonin, të donin. Si vinin në veshët e tu komplimentet?

-Po atëherë kishte letra, që shkruheshin. Së pari rrugëve. Rrugës ktheheshin kokat e ndalonin njerëzit. Por ndërkohë, në atë kohë, më vinin qindra letra adhurimi, midis tyre edhe nga fëmijët.

Në vijim të intervistës, Ermira Babaliu të surprizon jo pak me historinë e familjes dhe jetës së saj. Kisha dëgjuar në atë kohë që ju ishit një sekretare partie, për shembull merreshit me punët organizative, është e vërtetë?

-Jo nuk isha sekretare partie. Më ke kujtuar një gjë. Kur mbarova për Filozofi unë punoja mësuese dhe pastaj kam qenë Instruktore në Komitetin e Rinisë. Tani të kthehem tek viti i dytë i universitetit. Një pjesë të miqve të mi, shokëve të mi të kursit, iu propozuan që të bëheshin anëtarë Partie dhe diku më thanë dhe mua. Por unë ka pasur ndikimin e një daje që më ka qartësuar atë kohë, në heshtje, për situatën reale, mënyrën sesi ishte aplikuar komunizmi në Shqipëri, etj. Dhe më thonë mua: “Ti Ermira do të bëhesh anëtare Partie.” Dhe unë u thashë: “Jo, po mirë, unë mund të bëhem anëtare partie, por më duket sikur nuk e meritoj, më duhet edhe pak kohë.”

 Duhet të them edhe një histori tjetër. Kjo është shumë e bukur, s’e kam treguar askund. Më duket se ka qenë viti i tretë. Kishim ne një temë në Etikë. Unë së bashku me këtë dajë Qaniun fillojmë ta bëjmë. Unë e nisa dhe pastaj nisën të shkruanin në një pjesë të temës nga këto: “Patatja është dhe bukë e gjellë” (shprehje dogmatike e E.Hoxhës), etj, etj.

Dhe erdhi momenti që do të merrnim rezultatet e temës. Dua t’ia gjej emrin profesorit, por nuk po ia gjej dot....Dhe më thotë mua: “Ermira Babaliu, ti ke marrë 9, por të dalim pak përjashta se kam për të thënë diçka.” Dhe profesori i cili nuk jeton më dhe nuk e harroj asnjëherë më tha: “Ermira merre këtë temën, mos ia trego njeriut se na mori lumi të dyve.”

Çfarë përmbajtje kishte tema?

-Filozofia në veprat e Enver Hoxhës.  Dhe unë isha anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë dhe mua më pëlqente shumë ai fakt që kam qenë në atë kohë, sepse unë mendoj që isha zgjedhur aty si këngëtare dhe në pjesën më të madhe të kohës unë isha pjesë e aktiviteteve të këngës, e paimplikuar me pjesën e filozofisë, për të cilën kisha mbaruar. Por ndërkohë në Korçë, sapo u martova, fillova punë si instruktore në Komitetin e Rinisë dhe isha instruktore për aktivitetet. Megjithatë unë kam qenë pakëz rebele që atëherë.

Do tregoj një rast. Dhe në pjesën time, me sa kam mundur kam ndihmuar në heshtje, pa thirrur. Po tregoj një rast, bëhet fjalë për një zonjë që sot është Washington D.C. ajo e di kush është dhe më ka ndihmuar shumë, kur shkova në Amerikë. Kishte patur familjen kulake dhe s’donin ta futnin në parti, nuk donin ta aktivizonin, etj, etj dhe unë u thashë ok, “Kjo është një vajzë që ka notat e mira, e kështu, kështu...” dhe unë nuk e mbaj mend, nëse u fut apo s’u fut, apo iu zgjidh problemi që ajo kërkonte, por unë luftova. Dhe ndërkohë në vitin ’90, mua më hoqën nga puna, pikërisht për shkak të rebelimit, pra më hoqën nga puna si instruktore.

Siç e vura re, pjesëmarrja juaj ndonjëherë në ato funksione që i kërkonte koha, kishte njerëz që familjet e tyre kishin kontribuar, apo jo, në Luftën Nacionalçlirimtare. A mund të na flasësh pak për familjen tënde, meqë jemi në pragun e festave të Çlirimit?

- Unë flas për familjen time në të dyja anët. Në Pogradec unë jam mbesa e Çollakëve. Kanë qenë një familje shumë e nderuar dhe me kontributi atdhetar ka filluar me që me gjyshin tim, Isuf Çollaku. Para luftës, ai ka qenë si një kryeplak i pashkruar gjëkundi në të gjithë krahinën  e Mokrës, sepse ai bënte pjesën më të madhe të lidhjeve të familjeve midis tyre dhe sidomos zgjidhte me një grup tjetër zënkat që bëheshin midis fiseve. Ai më mbante për dore mua dhe unë kujtoj kur kam qenë 5-6 vjeçe, sesi një pjesë e njerëzve çoheshin në këmbë edhe kur hynte në në klub, ndërsa kur hynte në radhë e linin të parin. Të faleminderit, që më pyete për këtë. Ai ka patur tre djem. Njëri është Reshit Çollaku, Muharrem Çollaku dhe Qani Çollaku, të cilët e them me mburrje, kanë qenë idealistë të kulluar. Ata kanë pasur të gjitha kushtet e mjaftueshme ekonomike. Gjyshi ka qenë, tregtar i pasur, ka pasur toka në Pogradec. Por dy janë vrarë në luftë.

Daja i Ermira Babaliut, Reshit Çollaku, kreu i batalionit partizan, u vra në Luftën e Pojskës. Pas çlirimit të vendit u shpall Heroi i Popullit. 

Pra, Reshit Çollaku është Heroi i Popullit,  dhe ka këngë apo poezi që i këndonin që në fëmijërinë tonë. Ka vite që është harruar. Në këtë jubile, si mund ta riktheni ju para publikut, para njerëzve që nuk e njohin dhe sidomos para të rinjve që nuk njohin imazhin e tij dhe kontributin e Reshit Çollakut?

-Reshit Çollaku është vëllai i nënës sime. Po ashtu Muharrem Çollaku dhe Qani Çollaku, që kanë qenë tre djem të familjes sonë, bijtë e Isuf Çollakut. Le ta nisim nga i pari, babai i tyre Isufi. Ai ka qenë një nga nismëtarët e parë që me një grup të vogël, janë nisur për të ngritur flamurin në Vlorë. Pastaj, Reshit Çollaku, në momentin kur duhej të bënte betimin, ai nxori një flamur dhe tha: Unë nuk mund të betohem para flamurit italian, betohem vetëm para këtij flamuri që ishte flamuri shqiptar.  Erdhi në Shqipëri, krijoi Çetën e Mokrës dhe pastaj u vra në Luftën e Pojskës. Dhe vendin e tij në luftë e zuri daja tjetër Muharrem Çollaku, që kishte mbaruar pedagogjiken në Elbasan. Ishte mësues në Gjilan, shkoi në luftë dhe u vra. Pra, zuri vendin e dajë Reshitit dhe u vra pas disa kohës. Moshat e  tyre ishin 27 vjeç dhe 23vjeç.

Dhe pas luftës ka qenë një tjetër dajë, Qani Çollaku, mund të jetë nga të vetmit disidentë të vërtetë, që nuk u fut në burg për agjitacion dhe propagandë për mungesë të vajit dhe sheqerit, por i dërgoi një letër Mehmet Shehut që titullohej “Zejtarë të artit”. Kjo letër ishte për kërkesat që duhet të kishte letërsia dhe një lloj kritike që i bëhej artit të kohës, fare hapur. Ishte i shqetësuar për fatin e fshatarëve, sepse ka punuar në disa vende, në Berat, në një fshat të Mokrës. Pra ishte i shqetësuar për fatin e fshatarëve në kohën kur u krijuan tufëzimet e bagëtive.  Ishte mik i ngushtë me Lasgushin dhe Mitrushin. E adhuronte pa fund Lasgushin dhe Lasgushi ka shkruar diçka për të, por ndërkohë, unë që fëmijë  e mbaj mend që Lasgushi vinte në shtëpinë tonë.  Dhe daja u dënua 7 vjet për agjitacion dhe propagandë dhe kur doli nga burgu, nuk jetoi shumë gjatë. Me dhimbje të madhe familja jonë i kujtonte. Unë mbaj mend edhe teze Myzejenin që ishte martuar me dajë Rushitin, që ishte vajza e Qazim Kokoshit nga një familje shumë patriote nga Vlora. Dhe në kohën që daja u vra, ajo jetoi derisa ndërroi jetë në shtëpinë e gjyshit tonë. Ishte një zonjë për t’u admiruar. Kemi mësuar shumë prej saj. Ndërsa Daja Muharremi ishte i pamartuar dhe u vra 23 vjeç në luftë, ndërsa dajë Qaniu u martua, ka një vajzë.

Kjo është befasia që sjell Ermira Babaliu, një pjesë të historisë shqiptare, të ulur këmbëkryq në familjen e saj, që nga shpallja e pavarësisë deri në rënien e diktaturës. Kjo e bën këngëtaren që me forcën e shpirtit të jap një mesazh në 75-vjetorin e çlirimit të vendit nga forcat nazifashiste.

Çfarë simbolike ka për ju Dita e Çlirimit? Sa  e vlerësoni gjakun që u derdh dhe sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e atdheut? Si do t’i përgjigjeshit ju shumë debateve që duan ta mohojnë në emër të asaj se partizanët  ishin gurëvënës të themeleve të komunizmit dhe shumë argumenteve të tjera?

-Ndihem shumë e prekur. Nuk e kuptoj dot këtë lloj tendence. Jam e indinjuar për këtë, për faktin e këtij lloj mohimi. Kjo pjesë është harruar me qëllim, sepse heshtja vret. Unë flas për familjen time. Duke ditur kushtet prej nga vinin. Duke njohur dhe duke dëgjuar gjatë kohës për idealizmin tyre dhe vetë faktin se çfarë ndodhi, unë mbaj mend këtë: Në kohën e paskomunizmit gjyshi im ka pasur shumë ara. Meqenëse kishte dy djem në luftë dhe daja Qaniu i persekutuar, ia morën të parat tokat, me mesazhin ndoshta që kur ia morëm këtij, ju të tjerët mbylleni gojën. Pra edhe pse iu vranë dy djem në luftë, e zhveshën nga pronat dhe nga arat. Unë jam krenare për gjakun tim, por dua ta them këtë se ne Pogradec e kanë lënë në heshtje. Për këtë kontribut të madh të dajë Qaniut i kanë vënë emrin një rruge tre metra, që nuk duket. Kështu që le të shpresojmë dhe të mësojmë se me dashamirësinë që kanë një pjesë e mirë e drejtuesve të sotëm, të paktën këto lloj shenjash vlerësuese të mundet të rregullohen. Kam dëgjuar pafund në familje se lufta dhe idealet e tyre ishin për atdhedashurinë, asnjëri prej tyre nuk ishte anëtarë partie, aq më tepër dajë Qaniu. Jam krenare për ta dhe nuk e vë në dyshim për të tre ata këtë lloj përkushtimi për atdheun. Padyshim kontributi i tyre ka qenë thjesht atdhetar dhe padyshim do të rivlerësohet në qoftë se ka mbetur në heshtje. Ata krahët e djathtë e të majtë që duan të na ndajnë, ato thirrjet e militantëve  janë të ndryshme nga këto lloj kontributesh.

Dhurata Hamzai: Reshit Çollaku gëzon privilegjin më të madh ndër të rënët e Luftës Nacionalçlirimtare, sepse poeti i madh lirik Lasgush Poradeci, disident i regjimit komunist, vetëm për hir të tij, ka shkruar një baladë, ku për herë të parë përmend fjalët parti dhe partizanë...!

“Hajde-haj, Reshit Çollaku,
Në atë gjoks të zjente gjaku,
Djalë i mbarë i Mokrës-plakë
Ndezur zjarr e ndezur flakë.

Dole me njësitn' e parë,
Me ata djem poradecarë,
Bëre siç të tha Partia,
Siç tha vetë Shqipëria.

Balada vazhdon, ku poetit, që ka qenë mik i heroit,  i ka mbetur peng se “ç’pati thënë e kuveduar/ trimi i trimëruar”, vazhdon edhe për vëllanë e rënë në luftë Muharrem Çollaku...

Ermira Babaliu: Lasgush Poradeci ka qenë miku më besnik i familjes sonë. Mbase është pak për të thënë falënderim pa fund për poetin e madh Lasgush Poradeci!

Çfarë marrëdhëniesh keni me politikën? Jeni e shkëputur, jeni e lidhur apo aq sa duhet?

-Padyshim që kam këndvështrimin tim për politikën, në fakt unë kam  konceptimin tim për pasnëntëdhjetën, pa dashur të bëjë analisten dhe padashur të bëjë të diturën. Shpesh e më shpesh kam menduar se pas ‘90-ës  po të ishte menduar pak më shumë, pak më me merak për politikën e zgjedhur të fillimit, ishte kaq i gatshëm populli për të renë që do të vinte, dhe nëse do të ktheheshin pronat tek i zoti do të ishte shumë më ndryshe.

Cili do të ishte homazhi yt për heronjtë dhe dëshmorët që çliruan Shqipërinë?

Homazhi im do të ishte që s’duhet harruar gjaku i atdhetarëve të vërtetë, dhe ata që bëjnë sikur s’e dinë, të mos ngatërrojnë gjakun e atdhetarëve me atë gjakun tjetër.

Ermira Babaliu në vitin 1996 ka emigruar në Amerikë, por nuk u nda asnjëherë nga kënga shqipe. Në vitin 1994, Babaliu u vlerësua si “Këngëtarja më e mirë e vitit”  me këngën “Emri më i bukur” . Iku nga Shqipëria edhe me një tjetër trofe për këngën  "E njëjta ëndërr". Më pas është shfaqur në publik me videoklipe me serenatat korçare, që janë bërë mjaft popullore dhe që ia kanë shtuar adhurimin dhe famën për publikun shqiptar.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?