Ernest Muçi është emri që Celta Vigo kërkon për sulmin. Klubi që sezonin e fundit e mbylli në vendin e gjashtë në La Liga është pranë sulmuesit të Kombëtares, me mediet që bëjnë me dije se spanjollët janë gati t'i ofrojnë Legias së Varshavës 4 milionë euro për të lënë të lirë 22-vjeçarin.
Sulmuesi u bashkua me polakët në shkurtin e 2021 nga Tirana dhe për dy vite e gjysmë ka rritur kreditet me paraqitjet e mira. Tanimë në treg ai vlen 2.5 milionë euro, me Tiranën që përfitoi 500 mijë euro nga shitja e tij. Bardheblutë mbajtën edhe 10 përqind të kartonit në pronësi dhe nëse Legia konkretizon marrëveshjen me Celta Vigon, atëherë në arkat e bardhebluve do shkonin 400 mijë euro.
Edhe pse ka kontratë deri në 2025, Legia nuk do hiqte dorë nga shuma e majme dhe do shiste Muçin që këtë merkato. Nëse Muçi kalon në La Liga, atëherë do ishte shqiptari i dytë në elitën e Spanjës pas Uzunit (Granada).