Eros Grezda analizon Kombëtaren dhe zbulon profesionin e ri për Report TV: Hoxha dhe Muçi duhet të kenë më shumë minuta, Sylvinho i mrekullueshëm

13 Nëntor, 12:46| Përditesimi: 13 Nëntor, 14:35

  • Share

Ish-sulmuesi anësor i Kombëtares, Eros Grezda ka folur për gazetarin Andi Kapxhiu në Report TV. 29-vjeçari prej gjashtë muajsh është shkëputur nga futbolli i luajtur dhe është fokusuar në botën e agjentëve të futbollistëve.

Grezda foli në prag të dy ndeshjeve që Kombëtarja luan kundër Çekisë dhe Ukrainës më 16 dhe 19 nëntor në Tiranë, të vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve.

Ish-futbollisti ndalet te klima e mirë që Sylvinho ka krijuar në ekip, por sipas mendimit të tij Muçi dhe Hoxha duhet të kenë më shumë minuta. Grezda që ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar një gol me Kombëtaren, thotë se lojtarë si Hoxha vijnë rrallë në ekip.

"Grupi është shumë i vështirë, kemi dy ndeshje vendimtare dhe kemi bërë mirë. Ndeshja e parë me Çekinë ishte shumë e dobët, lojtarët janë të lodhur me ekipet e tyre. Ka edhe ndeshje që nuk dalin. Me Gjeorgjinë nuk luajtëm keq. Kemi mundësi për dy fitore dhe do jetë mirë për ne.

Dëmtimet - Mungesat e Gjimshitit dhe Manaj janë të mëdha. Ismajli, Ajeti, Daku, Tuci dhe Uzuni po bëjnë mirë dhe mendoj se do i zëvendësojnë.

Suksesi - Sylvinho ka bërë një punë të mrekullueshme, grupi dhe atmosfera janë të rëndësishme. Ne e kemi këtë harmoni dhe raport të mirë. Tre vitet e fundit kemi pasur progres të madh. Tani mund të luajmë me këdo dhe nuk na nënvlerësojnë.

Emocioni me stadiumin plot në shtëpi - Është emocion i madh, ndryshe nga klubet. Luan përballë njerëzve të tu, përballë familjes tënde. Lojtarët do kënaqen dhe besoj do kemi rezultat të mirë.

Kujdesi në dy ndeshje - Grupi është i komplikuar, jemi aty-këtu. Duhet ta marrim seriozisht, të bëhen ato që vendos trajneri.

Sulmi - Do thoja që kemi shumë kualitet, por Arbër Hoxhën e vlerësoj shumë. Është teknik dhe nuk e kemi pasur për një kohë të gjatë, bën diferencën. Bajrami po bën mirë te Rangers, Muçi duhet të ketë më shumë minuta. Hoxha dhe Muçi meritojnë më shumë minuta.

Pas Euro 2024, objektiv Botërori 2026 - Duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet, kështu shkohet atje. Është e vështirë, një mision i vështirë. Ne do jemi aty me shpresë dhe për ta mbështetur.

E ardhmja e Grezdës - Kam gjashtë muaj që jam tërhequr nga futbolli. Po punoj si agjent me një kompani të madhe italiane dhe jam i fokusuar në biznes. Më kanë ndikuar dëmtimet dhe operacionet për t'u tërhequr dhe jeta i ka këto sprova", tha Grezda.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?