E ndërtuar para 200 vitesh Kisha e Dukasit në Patos është drejt shembjes. Erozioni i tokës ka dëmtuar dhe varret e vjetra përreth kishës. Siç shihet në pamje eshtra dhe mbetje kockore kanë dalë në sipërfaqe.
Kjo situatë është tepër shqetësuese për banorët e fshatit Dukas-Breg. Ata rrëfejnë, rrëshqitjet e tokës janë të njohura prej disa dekadash ndërsa kanë kërkuar me insistim ndërhyrjen e bashkisë.
“Bashkia të marri masat e saj, t’i mbulojë, t’i vëri mur që të mos zbulohen, t’i rregullojë vendet, njerëzit e tyre kush i ka varrezat atje”, është shprehur një banor.
Kryetari i bashkisë së Patosit, Fation Duro shprehet se në muajin shkurt do nisë puna për ndërtimin e një muri që do frenojë erozionin.
“Është një problem i trashëguar, e mira ishte që të zgjidhej brenda vitit 2023, por duke qenë se nuk ishte i parashikuar në buxhetin e vitit 2023, ne e parashikuam për vitin 2024. Aktualisht projekti për murin është drejt përfundimit dhe shumë shpejt do vazhdojnë procedurat për prokurimin për ndërtimin e një muri të ri që të bëjë të mundur edhe sigurimin e gjithë hapësirës që ndodhet atje dhe rregullimin e territorit”,- është shprehur Duro.
Kisha e Shën Mëhillit në Dukas ka shërbyer si objekt kulti nga 1800-ta deri në vitin 1967, kohë kur diktatura komuniste e ktheu në qendër kulture.
Përfaqësues të kishës Ortodokse në Fier shprehen se pas viteve 1990 prona nuk i është kthyer kishës, por ka mbetur tokë shtet, ndaj dhe nuk kanë ndërhyrë për restaurimin e saj. Ndërsa varreza publike e Dukasit është zhvendosur prej vitesh në një tjetër vend. Rreth kishës mbeten varret e vjetra, dëmtuar rëndë nga erozioni.