Ky pallat në lagjen Pronovik të Poliçanit ka pësuar dëme të shumta dhe është shpallur i pabanueshëm që në vitin 2012. Shkak është bërë erozioni i tokës, ndërsa tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 i dha të tjera goditje.
Para 10 vitesh këtu kanë jetuar 8 familje, 4 prej tyre janë zhvendosur në qytetin e Poliçanit, për të cilat bashkia paguan qiranë prej 3 mijë lekësh në muaj. Ndërsa 4 familje të tjera, vazhdojnë të jetojnë në pallatin e rrënuar, duke rrezikuar jetën. Ata shprehen se kanë të lidhur jetën me tokat ndaj nuk largohen nga Pronoviku.
"Ska ku të vete, mirë është të iku por kam tokë. jetojmë me frikë, si miu në vrimë. Ku të vete? Më tha kryetari i bashkisë shko tek spitali, por unë këtu ku kam vendin tim", tha një banore.
Tetë familjet, pronare të apartamenteve kanë një dekade që kërkojnë dëmshpërblim nga bashkia. Fillimisht dëmi është vlerësuar në vlerën 1.4 milionë lek për çdo apartament.
"Dua lekët, se ne po na sorollat kryetari i bashkisë. Këta duan që ne të vdesim se jemi moshë e tretë. Duam 14 milionë sa na kanë thënë të blejmë shtëpi të re", tha një tjetër banor.
Këshilli Bashkiak i Poliçanit në vitin 2021 e ka përgjysmuar këtë vlerë, duke marrë vendimin për dëmshpërblimin e këtyre familjeve në vlerën e 700 mijë lekëve. Por as kjo shumë nuk u akordua, pasi bashkia me fondet e saj merr përsipër të paguajë vetëm 200 mijë lek për familje.
"Kjo vlerë nuk është ende e shlyer ndaj tyre. Në bazë të përllogaritje rezulton 7 milionë lek të vjetra. Pjesa e mbetur, bashkia e Poliçanit, ka bërë korrespondencë me AKMT sepse ajo duhet të bëjë çeljen e vlerës tjetër", tha
Desantila Zaimi, drejtore e zyrës juridike në bashki.
Pjesën më të madhe të fondeve Bashkia e Poliçanit e kërkon nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Deri atëherë këto familje do të vazhdojnë të rrezikojnë jetën në pallatin e rrënuar.