Edicioni i XII i festivalit Folklorik të Sazeve u çel mbrëmjen e së enjtes në Ersekë. Në natën e parë performuan grupet e Leskovikut, Delvinës, Fierit, Dimalit dhe Këlcyrës.
“Ky festival do shpalosë arritjet e sazeve. Janë 15 grupe që do ngjiten në këtë skenë dhe mendoj se do ketë prurje shumë të bukura. Artistët dhe instrumentistët kanë qenë liderë të grupeve dhe mendimit artistik ndër viteve”, tha kompozitori i njohur, Fatos Qerimaj, njëherësh anëtar i jurisë së festivalit.
“Jam në grupin artistik të Këlcyrës dhe e pranuam ftesën me kënaqësi. Normal që ne të rinjtë duhet të trashëgojmë artin dhe kulturën e tabanit popullor”, tha instrumentisti Ervis Rapaj.
Me repertor të përzgjedhur dhe tingujt e muzikës popullore, artdashësit e Leskovikut por edhe vizitorë të shumtë duartrokitën artistët. Festivali zgjat tre netë, ku do të performojnë 15 grupe të sazeve nga jugu e juglindja.