Anëtarët e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve do të mblidhen ditën e sotme në një seancë të përbashkët të Kongresit për të numëruar dhe certifikuar votat elektorale që rezultuan nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, seancë e cila do të fillojë në orën 13;00 të orës lokale.
Ky veprim rutinë dhe përgjithësisht ceremonial që normalisht do të zyrtarizonte fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje pasi Kolegji Elektoral më 14 dhjetor e zgjodhi zyrtarisht kandidatin demokrat si fitues në këtë cikël zgjedhor, këtë radhë është kthyer në një provë të besnikërisë së republikanëve ndaj Presidentit Trump, pasi një pjesë e madhe e përfaqësuesve republikanë do të kundërshtojnë procesin.
Drejtues i kësaj seance do të jetë zëvendës presidenti në largim Mike Pence, i cili në fakt do të përballet me një nga sfidat më të mëdha të tij, pasi presidenti i ka kërkuar të mos pranojë certifikimin e rezultatit.
Më shumë se 100 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mbi 10 në Senat kanë thënë se do të kundërshtojnë numërimin e votave elektorale nga gjashtë shtete të lëkundura që i fitoi Biden (Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini ) dhe do të kërkojnë ngritjen e një komisioni për një auditim të rezultateve zgjedhore.
Kjo sfidë pritet të dështojë pasi demokratët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe janë të bashkuar në mbështetje të Biden. Presidenti në largim Donald Trump, ka luajtur një rol të madh në këtë situatë, pasi ende nuk e ka pranuar humbjen. Ai u ka bërë presion republikanëve në Kongres dhe zyrtarëve të përmbysin rezultatin, shpesh duke përdorur forcën e popullaritetit të tij në elektorat, duke kërcënuar republikanët se mund t’u dëmtojë shanset e rizgjedhjes në të ardhmen.
Presioni i presidentit dëgjohet qartë në telefonatën e së shtunës ku i kërkon republikanit Brad Raffensperger, sekretar i shtetit në Xhorxhia të “gjej” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin.
Ekipi zgjedhor i presidentit dhe aleatët e tij kanë ngritur 61 padi për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve në një numër shtetesh. Ata kanë humbur 60 prej padive, pasi nuk kanë ofruar prova që mbështesin pretendimet për manipulime apo parregullsi.
Presidenti gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Uashington të mërkurën, duke bërë që kryetarja e bashkisë së qytetit t’u bëjë thirrje banorëve që “të mos të përballen me protestuesit që vijnë në qytetin tonë duke kërkuar konfrontim”.
Nuk është hera e parë kjo në historinë amerikane që ka kundërshti ndaj rezultatit të zgjedhjeve, por të cilët kanë qenë jetëshkurtër ndaj numërimit të votave elektorale në 2001, 2005 dhe 2017.