Ervin Mete i përcjell detyrën Ministrit të ri të Financave, Petrit Malaj, pas votimit në Kuvend dhe ceremonisë së betimit në Presidencë.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Mete ka shprehur mirënjohje dhe falenderime për Kryeministrin, ndërsa gjithashtu ka falenderuar edhe stafin e Ministrisë së Financave për bashkëpunimin.
“Duke i përcjellë detyrën Ministrit të ri. Mirënjohës dhe falenderues ndaj Kryeministrit që më besoi një detyrë me përgjegjësi kaq të lartë. Falenderime për stafin e Ministrisë së Financave për atë që kemi arritur së bashku gjatë kësaj periudhe. Besoj ka qënë një rrugëtim konsolidues për institucionin dhe financat publike, që uroj të vijojë më tej,” shkruan ish-Ministri i Financave.
Gjatë qëndrimit të Metes në detyrë si Ministër i Financave, Shqipëria u vlerësua për herë të parë nga agjencia Standard&Poor’s me BB-, ndërsa vendi doli gjithashtu nga lista gri e pastrimit të parave.
Mete largohet nga drejtimi i Ministrisë së Financave në kohën kur në mbyllje të 6-mujorit të ardhurat në Buxhet u rritën me afro 23 miliardë lekë, ose 7.1% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjithashtu, borxhi publik, sipas vlerësimeve paraprake në fund të 3-mujorit të dytë të vitit 2024 zbriti në 55.7% të PBB-së. Borxhi publik kishte vijuar trajektoren rënëse edhe gjatë vitit 2023, duke zbritur në fund të tij në 58.9% të PBB-së.
Përpara largimit nga drejtimi i Financave, Ministri Mete përfundoi dy kontrata të koncesioneve të pullave fiskale dhe atë të markimit të karburanteve. Në fjalën e mbajtur në seancë plenare, gjatë miratimit të ndryshimeve përkatëse ligjore, Mete theksoi se shtetëzimi i dy shërbimeve do të shoqërohet me ulje të kostove për bizneset dhe qytetarët.