Ervin Salianji

Opinion

Ervin Salianji letër nga qelia 6: Turinjtë e varur të qeverisë dhe garancitë që jep opozita

11 Janar, 11:22| Përditesimi: 11 Janar, 11:23

  • Share

Shpallja nga Ministria e Brendshme se janë mbi 3.7 milionë votues për zgjedhjet e ardhshme dhe nisja e punës me listën që zyrtarisht do të afishohet në mars, pas regjistrimit të emigrantëve apo ankesave të ndryshme, është si të thuash nisja nga ana zyrtare dhe burokratike e fushatës.

Nga sa mund të informohemi në burgun e Fierit dhe nga ajo që ndjehet në ajër, kemi një qeveri dhe një kryeministër që po shkojnë drejt 11 Majit, të ngrysur e pa humor, dhe nga ana tjetër një opozitë më të çelur, më të gjallëruar, më entuziaste.

Fakti që Rama dhe qeveria duken të ngrysur, të lodhur, por të pangopur për t’i vënë kazmën Shqipërisë, po punon me kapjen dhe patronazhimin e votës, edhe në diasporë! Turinjët e varur të qeverisë kanë të bëjnë me konsumin nga pushteti i shtërzgjatur, nga mungesa e ideve dhe vizionit. Kanë të bëjnë me pakënaqësinë e madhe tek njerëzit, prej varfërisë dhe korrupsionit, si dhe nga problemet e thella të brendshme mes tyre. Po ashtu, ka një lloj parehatie që vjen nga shqetësimi se ku do të bjerë zilja e radhës, në cilën derë abuzuesi a zyrtari i lartë të kapur në afera, a lidhje me krimin.

Duket qartë që Rama nuk ka asgjë tjetër për të thënë përveç “suksesit” me turizmin, që ende nuk dihet sa e ka ndihmuar jetën e qytetarit të zakonshëm. Ndaj ai kërkon të asociohet me kodra të bukura, me male të thepisura, me lugina e mjegull, apo ndonjë borë andej këndej. A thua se ai është krijuesi i kësaj mrekullie? A thua se shqiptarët kanë mendjen e Spiropalit dhe besojnë se Skënderbeu i saj ka fuqi mbinatyrore për të formësuar relievet dhe dukuritë meteorologjike?

Është ironike se si ai i bën jehonë një shkrimi të Bild për turizmin këtu tek ne, dhe kjo del në gjithë ekranet dhe portalet, ndërsa pak kohë më parë, një artikull i të njëjtës media që fliste për lidhjet e qeverisë me krimin qarkullonte si material i fshehtë, pasi pjesa më e madhe e shtypit nuk e pasqyroi, e aq më pak reagoi qeveria.

Edi Rama po thotë: “Më jepni mandatin e katërt sepse Vabona është mahnitëse, se Palasa ka ujë të kulluar dhe se Ksamili i ngjan Maldiveve”. Duke tentuar me këtë rast të mbulojë me këtë fasadë gjithë zullumin e madh 12-vjeçar, financiar e të lidhjeve me bandat e trafikantët ndërkombëtarë të drogës, një prej të cilëve denoncova unë në konferencë për shtyp. Lidhjet e atij që unë denoncova ishin shumë speciale, sepse ishte vëllai i Ministrit të Brendshëm. Ky i fundit më së shumti prej lidhjeve me bandat do ofrojë edhe mirëqeverisje në Parlament, ndërsa disa mjeranë në gjykatë u vendosën në dispozicion të inatit kryeministror, pasi i prisha komoditetin me publikimin me fakte të lidhjeve me krimin dhe korrupsionin masiv të qeverisë!

Opozita dhe miqtë e mi demokratë nuk kanë asnjë arsye për të kaluar në eufori dhe e di se nuk do ta bëjnë. Pakënaqësia deri në revoltë ndaj qeverisë asnjëherë nuk mjafton për të sjellë ndryshimin. Njerëzit janë të zhgënjyer nga politika dhe duhet punuar shumë për të ndërtuar një besim të ri. Qytetarët kanë nevojë për garanci që i kanë humbur në këto 12 vite.

Unë jam dakord sigurisht që eventet e dhjetorit të kremtohen pasi lidhen me motin e lindjes së forcës tonë politike, apo edhe të janarit. Por ama, nuk jemi në kushtet për të inaguruar dhe qëndruar gjatë në muzeun tonë, pasi koha nuk pret. Sigurisht, këto momente kanë të bëjnë me identitetin dhe tiparet tona ideologjike dhe kanë rëndësinë e tyre. Por qytetarët kanë halle të tjera. Dhe çdo ditë larg tyre do të ishte një ditë e çuar dëm.

Ndaj, fokusi duhet të jetë i qartë: ekonomia. Dhe garancitë që shqiptarët duan se një qeverisje e keqe, me korrupsion e krim si kjo e 3 mandateve të fundit, nuk do të ndodhë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?