Primaret nuk i kanë sjellë asnjë të mirë Partisë Demokratike. Kështu u shpreh Ervin Salianji mbrëmjen e sotme në emisionin “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv.
Ish-deputeti demokrat theksoi se ky proces nuk forcoi aspak meritokracinë brenda Partisë Demokratike, pasi shumë prej fituesve të primareve u lanë jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
“Primaret në PD nuk kanë sjellë asgjë të mirë. Disa prej fituesve, të paktën më gjysmën e qarqeve, nuk ishin fare në listë, dolën të parët me të votuarit”,- tha Salianji.
Ish-deputeti i mëshoi idesë së ripërtëritjes dhe reformimit të Partisë Demokratike, duke theksuar se kryetari Sali Berisha duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatet zgjedhore.
“Opozita duhet që ta lexojë mirë edhe në fazën elektorale, se cilat janë zonat që pavarësisht deformimit të vullnetit të zgjedhësve, PD ka marrë rezultat të mirë. Analiza është marrja e vendimit, kryetari i PD ka thënë që do presim raportin e OSBE-ODHIR. PD duhet të ripërtërihet, t’i japë mundësi çdo individi, profesionisti, personi që ka kontribut në parti”,- tha Salianji.
Largimin e Sali Berishës nga drejtimi i Partisë Demokratike, Salianji e sheh të arritshme vetëm nga një ndërgjegjësim i brendshëm të partisë.
“Në politikë e vetmja rrugë se si iket përveç vullnetit të lirë, është vota. Ka dhe votime brenda partisë”,- tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv, nga ku e cilësoi skandal takimin e sotëm të kreut të SPAK, Altin Dumani, me ftesë të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
“Ç’punë ka drejtuesi i SPAK me programin e qeverisë, i vetmi prioritet që ka është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai ka 8 vite që është zv/ministër, po më trego çfarë kontributi ka ai, unë ngrë duart, tërhiqem”,- tha Salianji.
Komente
