Partia Demokratike

Opinion

Ervis Iljazaj: Partia Demokratike është parti e Sali Berishës

3 Qershor, 17:56| Përditesimi: 3 Qershor, 18:00

  • Share

Partia Demokratike në 11 Maj pësoi ndoshta humbjen më të thellë që nga koha e krijimit të saj. Por më dramatike se sa humbja në atë parti është mungesa e reflektimit brenda saj. Askush nuk ka guximin të bëjë qoftë edhe një kritikë për lidershipin e Partisë Demokratike edhe pse po shkon nga humbja në humbje dhe gjasat janë që nëse nuk ndryshohet ajo do të reduktohet edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme.

Të gjithë janë vënë në rresht në mënyrë absurde për të mbrojtur humbjen, për të gjetur alibi. Alibi të cilat shkojnë nga përgjegjësia e SPAK apo të vjedhja e votave, a thua se në Shqipëri mund të blihen 300 mijë vota si të ishim në pazarin e gjësë së gjallë. Të gjithë e kanë fajin, me përjashtim të sjelljes politike të Partisë Demokratike e cila bëri çdo gjë për të humbur dhe tashmë nuk pranon rezultatin. Opozita shqiptare, pra Partia Demokratike, ka një sjellje recidiviste tashmë prej 12 vitesh ku humbjet e njëpasnjëshme ja faturon regjimit dhe faktit se me Edi Ramën nuk fitohet. Një nga shprehjet më të dëmshme për opozitën në Shqipëri e cila ka krijuar një mentalitet humbësi që nuk kuptohet se si do të shkulet prej saj.

Duket qartë se i gjithë qëndrimi i Partisë Demokratike dhe Berishës pas 11 majit është që ky i fundit të qëndrojë në krye të saj, ashtu sikurse në fakt ka 34 vite që e bënë. Personalisht Berisha ka fituar në këto zgjedhje, çështja është se demokratët kanë 4 mandate në opozitë. Në vitin 2021 Sali Berisha ishte i vetëm, pa parti dhe vetëm me 6 deputetë pranë tij. Ndërsa sot, ka partinë demokratike me 50 deputetë dhe lidershipi i tij as që nuk diskutohet. Përfundimisht mund të thuhet se ajo forcë politike ka vetëm një emër, Sali Berishën. Këtë gjë duan demokratët dhe askush nuk mund vendosë përtej tyre.

Një fenomen i cili zgjat prej 34 vite brenda të djathtës shqiptare. Duke parë kohën shumë të gjatë në krye të së djathtës, është paradoksale në fakt të flasësh për rrëzimin e një regjimi me një lider i cili ka 34 vite në drejtimin e një partie. Një fenomen më shumë unik se sa i rrallë për të gjitha vendet demokratike të botës, madje edhe për ato që nuk kanë një regjim demokratik.

E pikërisht ky është problem i së djathtës sot. Lidhja e përjetshme e saj me emrin e Sali Berishës. Kjo është pothuajse një provë historike të cilën e djathta shqiptare nuk e ka kaluar ende. Nëse të djathtët vendosin që emrin e forcës së tyre politike ta lidhin përjetësisht me emrin e një personi, vështirë se kjo forcë politike do të mbijetojë me mbarimin politik të Berishës.

Këtë provë e ka kaluar e majta në Shqipëri. E majta shqiptare ka patur Enver Hoxhën, pas tij ka ardhur Ramiz Alia, më pas Fatos Nano e sot Edi Rama. E majta në Shqipëri vazhdon të mbijetojë si forcë politike përtej një emri të caktuar, këtu e 70 vite. Ndërsa fatkeqësisht për të djathtën shqiptare kjo ende nuk është vërtetuar. E djathta nuk po arrin dot të tejkalojë përtej emrit të një personi. Dhe kjo është fatkeqësia e saj më e madhe në aspektin politologjik./Javanews

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?