Foto ilustruese

Opinion

Ervis Iljazaj: Rreth 140 mijë vota cilësore për partitë e reja

22 Maj, 07:25| Përditesimi: 22 Maj, 07:28

  • Share

Lëvizja Bashkë, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Partia Mundësia kanë marrë së bashku rreth 140 mijë vota. Një rezultat që pavarësisht disktutimeve, është një sukses për këto parti. Të jesh nën presionin e dy forcave të mëdha politike, në një elektorat si ai shqiptar që ndryshon me vështirësi dhe të arrish të marrësh pjesë në parlament, padyshim që është një rezultat i mirë dhe jep shpresë për të ardhmen.

Edhe pse në mandate këto u vota u përkthyen vetëm në katër të tilla, gjithsesi të marrësh pjesë për herë të parë në një garë elektorale dhe të arrish të përfaqësohesh në parlament nuk është pak, duke marrë parasysh kontekstin politik të Shqipërisë. Duhet theksuar se jo vetëm që kanë marrë një rezultat të mirë, por vota e tyre është një votë cilësore në aspektin e sociologjisë politike. Me të gjitha gjasat partitë e reja kanë marrë vota më së shumti nga shtresa e mesme, njerëz të cilët nuk janë militantë politikë, por që ndryshojnë qëndrimin e tyre në varësi të ofertës politike. Në këtë kuptim, partitë e reja duhet të jenë krenare për elektoratin që përfaqësojnë. Sepse kanë një elektorat që konsiderohet i moderuar dhe jo me bindje politike të verbra kundrejt dy partive të mëdha, Partisë Sociliste dhe Partisë Demokratike.

Verdikti i elektoratit shqiptar në këto zgjedhje, përtej konfirmimit të partive kryesore, dha një shpresë se dhe parti të reja mund të jenë pjesë e rëndësishme në tregun politik në të ardhmen, në mos janë që tani. Ndryshe nga partitë e vogla të tranzicionit që patën një rezultat të keq dhe mund të thuhet që nuk ekzistojnë më, partitë e formuara rishtazi patën sukses. Prandaj politika shqiptare mund të konsiderohet tripolare sot; Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe partitë e reja.

Partitë e reja në këto zgjedhje mund të kishin një rezultat edhe më të mirë, ashtu sikurse tregonin sondazhet, nëse sjellja e tyre do të ishte ndryshe. Për shembull nëse do të kishtë një bashkëpunim midis tyre, me shumë mundësi do të arrinin të fitonin nga një mandat në çdo qark. Mirëpo në vend të bashkëpunimit ato zgjodhën konfliktin duke ngjallur mosbesim te një pjesë e madhe e elektoratit që donin të përfaqësonin. Të gjithë i mbajnë mend debatet apo akuzat midis Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt, apo dhe midis këtij të fundit me Arlind Qorrin.

Gjithsesi, edhe pse me një stategji elektorale dhe retorikë jo plotësisht efikase ato ja dolën të përfaqësohen në parlament. Tashmë sfidë e tyre është rezistenca dhe vazhdimësia. Të gjitha gjasat janë që nëse sillen ashtu siç duhet, nëse vazhdojnë të kenë një identitet politik që qartë dhe realist dhe jo idealizma apo utopira të kota, kanë të gjitha mundësitë për t’u rritur ende. Kjo varet vetëm nga pjekuria e tyre dhe insistimi për të qenë pjesë e sitemit politik shqitpar. Për të gjithë ata që thonë se këto parti ndihmuan pushtetin, nuk marrin parasysh elektoratin që ato përfaqësojnë. Në radhë të parë ato nuk ndihmojnë pushtetin por demokracinë shqiptare. Në radhë të dytë, ato përfaqësojnë një elektorat që nëse nuk do të ishin këto alternativa, me të gjitha gjasat nuk do të votonin fare./Javanews

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?