Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetjen e tyre për Ballkanin e Hapur, si një nismë që afron Ballkanin Perëndimor me Evropën.
Gjatë një interviste për mediat malazeze, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ‘Open Balkan’ synon afrimin e vendeve të rajonit me njëra-tjetrën dhe për këtë arsye nuk sheh asnjë arsye për ta kundërshtuar.
“Për sa kohë që Ballkani i Hapur është plotësisht i lidhur me procesin e Berlinit, nuk shoh asnjë arsye për ta kundërshtuar dhe mbështetur atë. Përderisa qëndrojnë për të njëjtat gjëra, nuk ka arsye për të mos i mbështetur. Dhe nëse dy, tre, katër ose pesë vende vendosin individualisht të shkojnë drejt disa prej atyre prioriteteve, pse duhet t’i ndalojmë ata nëse duan të përgatiten paraprakisht?”
Ai tha se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës paraqet një zhvillim historik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por theksoi se marrëveshja e arritur tashmë duhet të zbatohet.
“U desh shumë guxim politik si nga presidenti Vuçiç ashtu edhe nga kryeministri Kurti për të arritur atë marrëveshje. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian tha se marrëveshja është ligjore dhe ligjërisht e detyrueshme. Dhe të dy liderët e konfirmuan atë. Tani çështja është se si të zbatohet plotësisht”.
Ai gjithsesi u shpreh se është optimist se qëllimi do të arrihet dhe se beson se të dy liderët mund të tregojnë guximin politik të nevojshëm për të hedhur hapat e duhur.