Vajze me kostum te zones se Zadrimes

Opinion
Periferi

Esenca e shqiptarëve që krijon harmoni e bukuri

4 Shtator, 19:24| Përditesimi: 4 Shtator, 19:30

  • Share

Përtej plehrave, përtej agresivitetit ndaj natyrës dhe njëri-tjetrit, në shpirtin shqiptar ruhet një aftësi mbresëlënëse e krijimit të harmonisë, ngjyrave, shijes, kombinimit, simetrisë, finesës. Kjo dëshmohet në kostumet tona popullore origjinale, në shtëpitë e vjetra shqiptare (që nga dyert, sokakët, tavanet, kopshtet), të cilat ruajnë estetikën që ditën të krijojnë mes varfërisë apo në bollëk të parët tanë.

Do të duheshin arkeologë të qënieve njerëzore, tamam si ata arkeologët që nxorrën në dritë vendbanimin më të vjetër në Europë, atë të Linit, apo mauzoleumin e Bulqizës, për të nxjerrë në sipërfaqe, edhe mes nesh, vlerat dhe bukuritë që i kemi të rrënjosura, por që tranzicioni i gjatë dhe i lodhshëm, përzier me 45 vite diktaturë e zierje e përzierje si në një tenxhere presioni, na i zbehu e na i marramendi.

Disa e bëjnë zbulimin e të bukurës vetëvetiu dhe nuk është e vështirë të dallojmë realitete të shkëlqyera nga veriu në jug, të cilat pa shumë fjalë, pa shumë bujë, shpalosin më të mirën që një dorë njeriu mund të krijojë mbi dhe. Por zhurma që bëhet nga të tjerë shqiptarë, shpesh, i bjerr këto vlera dhe këto realitete për t’u marrë për shembull nga të gjithë, por që nuk janë në piedestal.

Bukuria, estetika, etika, kanë një cilësi të jashtëzakonshme që i karakterizon: Janë autentike, origjinale, të natyrshme. Në kohën e plastikës dhe të realiteteve fake, në kohën e fast food dhe të modës dhe dëshirave të shpejta, konfuzioni është shumë i madh. Nuk ka asgjë të keqe të pëlqehen lulet plastike, por bukuria, energjia dhe emocioni që krijon një lule e vërtetë, nuk ka të krahasuar me një lule që nuk jeton.

Realizimi i bukurisë autentike është një karakteristikë që shihet në qëndismat, cohat, figurat, materialet e të parëve tanë. Aty, mes figurave, kombinimit të ngjyrave, zgjedhjes së formave dhe simboleve, fshihet dhe ruhet harmonia dhe bukuria njerëzore që përfaqësojmë. Njësoj si natyra më e bukur që na rrethon.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?