Të martën në Madrid, Chelsea kampiona në fuqi i Champions League, do kërkojë përmbysjen kundër Real Madrid që ia doli të fitonte në ndeshjen e parë 1-3. Në prag të sfidës trajneri i bluve Thomas Tuchel e pranoi se objektivi është në prag të pamundurës, por tha se do ta provojnë.
“Na pret një nga sfidat më të mëdha në Bernabeu. Bëhet akoma më e vështirë, kur duhet të arrish një rezultat të caktuar, sepse duhet të fitojmë minimumi me 2 gola diferencë. Është një mision thuajse i pamundur, shumë, shumë i vështirë, por sërish ia vlen që ta provojmë.
Nuk duam asgjë tjetër, veçse një skenar fantastik ku ne mund ta arrijmë të përmbysim gjithçka. Kualifikimi është shumë i vështirë, sfida është e madhe, sidomos pas rezultatit të ndeshjes së parë. Por të gjithë mund të ëndërrojnë. Ne do të tentojmë të bëjmë këtë ëndërr realitet,”- tha Tuchel, i cili nuk do të ketë të gatshëm Lukaku, Hudson-Odoi dhe Ben Chilwell.