Eshtrat e zbuluara në "Shën Llezhdër", specialisti: Të ngrihet një ekspeditë arkeologjike, babai i Skënderbeut i shkroi letër Papës për këtë kishë

2 Shkurt 2022, 14:12| Përditesimi: 2 Shkurt 2022, 22:39

  • Share

Pasditen e sotme specialistë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër në bashkëpunim me DSHA dhe IKTK udhëtuan drejt fshatit Spiten të Lezhës, për të këqyrur dhe vlerësuar eshtrat dhe gëzhojat e gjetura në Kishën e “Shën Llezhdrit”. Ndërkaq për “Report tv” shpjegojnë se si u arrit në zbulimin e tyre, në objektin që prej vitit 1981 është Monument Kulture i Kategorisë së Parë

“Punimet e publikuara së fundmi në media, lidhen me pastrimin e sipërfaqes dhe sistemimin e tarracave, së bashku me murin rrethues dhe po kryhen nga përfaqësues të kishës katolike me kontributin e banorëve vendës”, shprehen.

Në pritje të një shqyrtimi më specifik, televizioni kontaktoi specialistin e trashëgimisë njëherazi historian, Paulin Zefi, i cili dha detaje historike rreth rëndësisë së këtij objekti.

“Faza e parë e ndërtimit të këtij objekti daton në fund të shekullit XIII-të në fillim të shekullit XIV. Ndërsa në vitin 1402-1405 dhe më vonë në vitin 1407 flasin relacionet  kishtare dhe dokumentet diplomatike. Një ndër to është edhe një letër e të atit të heroit tonë kombëtar, Gjon Kastriotit, drejtuar Papës në lidhje me këtë objekt dhe shumë objekte të tjera kishtare në rrethinat e Lezhës dhe në Mirditë. Kjo kishë ka shërbyer për një periudhë kohe sipas burimeve të tjera që përputhen si rezidencë dimërore e përkohëshme e Balshëve”, tha Zefi.

Zefi thotë se në këtë zonë ka pasur edhe gërmime sporadike arkeologjike, por jo ekspedita të mirëfillta arkelogjike.

“Pranë kishës ka varreza, kemi dëshmi që tregojnë se nuk ka qenë thjesht kishë katolike por edhe një kishë manastirore Pra ka qenë vend i banuar. Duke qenë se gjatë mesjetës në fillim të shekullit të XV ka shërbyer edhe si rezidencë e përkohshme e Balshëve gjatë stinës së dimrit do të thotë se aty ka pasur jetë shqiptare dhe si e tillë ka dhe shumë gjetje arkeologjike sigurisht që do të ketë edhe gjetje të ndryshme arkeologjike Lind nevoja që të bëhet një ekspeditë arkeologjike”, u shpreh ai.

Kisha ish lënë për vite në degradim duke mbetur vetëm pjesët e portikut dhe absidës. Për të shmangur rrënimin total famulltari dhe vetë banorët e ringritën sërish.  

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?