Etnografi, poezi e legjendë, 'Qeramika e Mirës' frymon grua! Kuçuku mban premtimin ndaj mbesës, çel ekspozitën e parë personale

25 Prill 2023, 18:02| Përditesimi: 25 Prill 2023, 18:13

  • Share

Deltina ka marrë formën më të bukur në Galerinë e Artit Tiranë. Është qeramika e Mira Kuçukut që frymon legjendë përmes “Rozafës”, “Orëve të mira” të maleve, etnografisë, poezisë, bashkëkohësisë e mbi të gjitha gruas.

“Është një qeramikë e lirë. Sepse unë edhe vazon e shikoj si një femër të bukur. Dhe në fakt gjithmonë kanë pasur lidhje. Amforat e hershme kanë qenë figura njerëzore paçka që bënin dhe funksionin vazo. Dhe diku kam thënë që qeramika është grua! Është grua me bukurinë e saj, zjarrin e brendshëm që ka”, shprehet artistja Mira Kuçuku.

Është ekspozita e parë personale e artistes në vend, përtej kufijve e të tjera kolektive numëron dhjetëra. Një premtim i mbajtur ndaj mbesës së saj.

“Shkak u bë mbesa ime, e cila nuk kishte parë asnjë ekspozitë nga unë. Dhe unë i thashë vitin e kaluar se do të bëja një ekspozitë kur të vinte ajo”, tregon Kuçuku.

Është mbi gjysmëshekullore lidhja e saj me artin e qeramikës, pasioni bën që nga ideja në letër, tek puna me baltën, tharjen, pjekjen, e deri në pikturimin final, çdo vepër të bëhet inspirim për pasardhësen...

“Unë jam e dashuruar me terakotën. Është e befasishme, vetë qeramika është e tillë. Fjalën e fundit e jep zjarri”, thotë më tej.

Shumica e punëve lindin prej periudhës së izolimit për shkak të pandemisë, si një mënyrë e Kuçukut për të komunikuar emocione pozitive, përmes artit në qeramikë.

Ka një larmishmëri temash në galerinë e veprave të saj e lëvron teknika me një shkallë të lartë vështirësie. Me terrakotën është një dashuri e pandashme, ndërsa aplikon shpesh edhe teknikat moderne si japonezet, ‘raku’ apo ‘naked raku’, që shohim të sjellë butë e të lëmuar sipërfaqen e shumë punëve të artistes.

“Nga viti 1995 unë 85 për qind të punëve i kam ‘raku’, apo ‘naked raku’ që është diçka më e avancuar”, thotë artistja.

Rrëfen se ndjehet e shpërblyer, pasi tanimë urët që vepra e saj ka lidhur me publikun janë të shumëfishta e gati të pazgjidhshme, për besnikërinë ndër vite.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?