Afërdita Onuzi dhe presidenti Bajram Begaj

Etnografja Afërdita Onuzi nderohet nga presidenti Begaj

16 Mars 2023, 15:34| Përditesimi: 16 Mars 2023, 15:38

  • Share

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i dha dje titullin “Mjeshtër i Madh” etnografes së shquar prof. Afërdita Onuzi. Ceremonia “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, u organizua në institucionin e Presidencës.

Titulli për zonjën Onuzi është motivuar kështu: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në studimin e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar; për punën e paçmuar në terren, në studimin, mbledhjen dhe dokumentimin e pasurisë etnografike shqiptare, duke kontribuar në njohjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të identitetit kombëtar shqiptar.”

Onuzi falënderoi Presidentin Begaj për vlerësimin e punës 52-vjeçare. “E shoh këtë vlerësim, edhe si nderim e respekt për trashëgiminë kulturore të popullit tonë”, tha ajo.

Prof. Afërdita Onuzi u bë pjesë e institucioneve të kërkimit shkencor albanologjik prej vitit 1971 dhe konkretisht në Departamentin e Etnologjisë pranë ish-Institutit të Kulturës Popullore më 1978 (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit).

Vite më vonë, 1999-2008, ajo e drejtoi këtë institut, revistën e tij “Kultura popullore” dhe ka qenë anëtare e redaksisë së revistës tjetër të rëndësishme “Studio albanica”.

Në vitet 2008- 2015 drejtoi Departamentin e Etnologjisë dhe ishte punonjëse shkencore pranë këtij departamenti.

Si mësimdhënëse akademike ajo ka kontribuar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dhe në zhvillimin e shkollës pasuniversitare, Dega Trashëgimi Kulturore si dhe në Universitetin e Shkodrës dhe në atë Politeknik të Tiranës. Ka udhëhequr teza masteri dhe doktorature në Universitetin e Tiranës dhe në Qendrën e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Studimeve Albanologjike).

Ka ligjëruar për kualifikimin e etnografëve të rinj në muzetë e Shqipërisë dhe në konferenca shkencore brenda e jashtë vendit.

Është për t’u vlerësuar veçanërisht puna e saj në terren, prej vitit 1973 me ekspeditat nëpër Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, tek Arbëreshët e Italisë.

Është autore platformash muzeore dhe ekspozitash etnografike në Shqipëri (Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu i Shkodrës, Kukësit, Tropojës, Kavajës, Burrelit, Peshkopisë, Korçës, Vlorës etj.) dhe më gjerë (Greqi, Itali, Francë, Rumani, Austri, Norvegji, Suedi, Danimarkë, New York, Capitol (Washington), Talin (Estoni), Gjermani, Zvicër, Dubai etj.

Ka qenë pjesë e grupit të punës në dy projekte të rëndësishme “100 fshatrat” dhe “Atlasi Etnografik i Fshatit Shqiptar Sot”.

Është autore/përgatitëse e studimeve:

“Poçeria popullore në Shqipëri”

“Shqipëria - Jeta dhe tradita”, Torino 1994 (me bashkautor)

“Argjend - mjeshtrat argjendarë në Shqipëri e Kosovë”, Torino 2000 (me bashkautor), “Albanien, Zwischenkreuz und Halbmond”, Munih, 1999 (me bashkautorë, njëkohësisht edhe anëtare redaksie)

“Dukuri etnografike në Malësinë e Madhe” (materiale të përmbledhura nga At Kol Berisha në fshatrat shqiptare në Mal të Zi, shoqëruar me një parathënie studimore), 2002

“Nga tradita tek e ardhmja” (album ilustrativ me veshje popullore të rrethit Shkodër, shoqëruar me parathënie studimore), 2005

“Veshje popullore shqiptare” vëllimi III (me bashkautorë), 2004

“Himara në shekuj” (me bashkautorë, njëkohësisht dhe anëtare redaksie), 2004

“Veshje popullore shqiptare”, vëll. IV ( me bashkautorë), 2009

“Veshje popullore shqiptare në Kosovë”, vëll. V

“Etnografia Tirana 100 (1920-2020),  album ilustrativ shkencor, 2020

“Arti popullor në Kosovë”, album ilustrativ shkencor, 2021

“Xhubleta” album ilustrativ, 2021

Akademia e Studimeve Albanologjike e uron prof. Onuzin për titullin “Mjeshtër i Madh”, tërësisht i merituar.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Etnografia Shqiptare: 16/03/2023 17:24

    Aferdita Onuzi (Eltari) ka kurorezuar sot grabitjen e radhes qe i ka bere prej mese 52 vjetesh mirefilltasi Etnografise Shqiptare, shtyllave te saj duke filluar me prof. Rrok Zojzi, e ne vijim akad. prof. Andromaqi Gjergji e prof. Spiro Shkurti, (U Ndrite Shpirti!), e qe me siguri po rrotullohen ne varr tek degjojne vijimesine e bemave te saj grabitqare. Cdo gje qe figuron e publikuar ne emrin e saj eshte plagjature e mirefillte, sepse nuk i citon burimet e informacionit dhe studiuesit ne perputhje me kriteret shkencore, ne vecanti studimet e punimet-maket (draft), skedat e punes kerkimore ne terren e zyre, shenimet e tyre ne ditaret e ekspediatve, etj, te studiuesve te lartpermendur, ku volumin kryesor e zene ato te akad. prof. Andromaqi Gjergji. E gjithe karriera e saj e vertete eshte ajo tipike e komunistes tejet aktive ne organizaten baze te PPSH. Vjen nga familje komunistesh. Babai i saj e fillon karrieren ne PKSH e Kukesit dhe e vijon ne PPSH e Tiranes Aferdita Onuzi, bashke me Yllka Selimi, jane studiueset me te dobeta te Etnografise Shqiptare ne plejaden e disa dhjetera studiuesve te viteve 1971-1991. Kjo dyshe, pas vitit 1998, ne sintoni te plote, ngriten skemen administruese-grabitqare ne drejtimin e Institutit te Kultures Popullore dhe te Fondeve Materiale dhe Arkivore te ketij Insituti. Aferdita Onuzi me PS dhe Yllka Selimi me PD u alternuan me njera tjetren ne poste si drejtore e nendrejtore te ketij Instituti per me se 15 vjet rrjesht, pa nderprerje. Veprimtaria e tyre nuk eshte kurre vone te behet objekt Veting-u si ne planin Akademik per plagjaturat e materialeve arkivore te studiuesve te tjere, vecanerisht atyre me ne moshe e qe nuk jetojne me, por nje Veting i posacem penal u duhet bere ketyre dy ish drejteseve te IKP ne lidhje me “zhdukjen” e materialeve etnografike, vecanerisht punime e bizhuteri ne ar e argjend (Pasuri Kombetare me vlera gati-gati te pallogaritshme) nga Fondet Materiale te Institutit dhe ato qe vinin nga ish Ekspozita ‘Kultura Popullore Shqiptare’, si dhe metodat qe kane perdorur per te justifikuar kete fenomen gjate viteve te adminstrimit te tyre. Me cfare e justifikojne pasurine e tyre qe gezojne sot?

    Përgjigju
    • Ylli: 22/03/2023 22:37

      Me vjen keq qe ndjellni vrer mbi prof.Aferdita Onuzi Pas ketij shkrimi fshihet nje ziliqar/e qe deshiron te perbalte figuren e kulluar te saj.Argumentet e juaja nuk jane te drejte perdrejta per znj.Onuzi por mundoheni te perfshini edhe familjen e saj.Une personalisht e pergezoj per dekoraten qe ka marr dhe e ka te merituar pasi ka edukuar breza per etnologjin shqiptare ku nje nder to jam dhe un.Besoj jam brezi i fundit qe znj.Onuzi ka edukuar me pasionin e saj per kete fushe te historise shqiptare.Ju uroj me te mira.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?