Etrit Berisha po kërkon një ekip të ri, pasi drejtuesit e Torinos i kanë kërkuar largimin, duke mos i gjetur një vend në formacion. Portieri 34-vjeçar i Kombëtares ka refuzuar disa oferta në Turqi, teksa në dritë ka dalë Frosinone, ekipi i ngjitur sezonin e fundit në elitën e futbollit italian.
Siç raporton "TuttoMercato", thelbi i negociatave mes Frosinones dhe Etrit Berishës do të kishte të bënte me pagën. Ai paguhet gati një milione euro neto në vit, një shifër e papërballueshme për skuadra si Frosinone. Kontrata e portierit me Torinos do të skadojë në verën e vitit 2024 dhe të dyja palët synojnë të arrijnë në një marrëveshje, qoftë edhe huazimi.
Torino dëshiron ta largojë lojtarin, ndërsa drejtuesit e Frosinone synojnë t'i japin trajnerit Eusebio Di Francesco një profil eksperience si Berisha. Bisedimet janë duke u zhvilluar, por Berishës ndoshta do t'i duhet të shkurtojë pagën për të nisur një aventurë të re si titullar në Serie A.