Etrit Berisha, portieri i Kombëtares ka thënë se po mendon të tërhiqet nga futbolli në nivelin e lartë, për t'u bashkuar me familjen në Suedi. Për "Fotbollskanalen" ai shtoi se drejtuesit e Kalmar i ofruan verën e shkuar një kontratë, që duket se 34-vjeçari i Empolit është duke e menduar.
“Unë do të vendos pas Europiani. Kam një bebe të vogël në Stokholm dhe gruaja ime udhëton vajtje-ardhje mes Italisë dhe Suedisë. Ta shohim”, tha Berisha.
Më pas ai tregoi edhe prapaskenat me ofertën nga Kalmar, për t'u rikthyer në Suedi.
“Drejtori sportiv më pyeti për këtë dhe folëm pak rreth gjërave. Ishte diçka spontane dhe nuk doli gjë në fund. Unë e ndjek Kalmarin dhe për fat të keq nuk e kanë nisur mirë kampionatin.
Por do të vijnë kohë më të mira dhe ndeshje në të cilat të sigurojnë pikë. Ata duhet të mendojnë në mënyrë më pozitive. Unë do të dëshiroja që të ndihmoja Kalmarin për situatën në të cilën gjendet. Por nuk e di, kam ende një kontratë me Empolin dhe do të pres deri pas përfundimit të Europianit”, ishin fjalët e portierit të Shqipërisë.