Eugenio Tibaldi

Eugenio Tibaldi: Jeta ime në basifondet e Camorra-s, ku digjeshin makinat pas krimit

9 Tetor 2018, 07:25| Përditesimi: 9 Tetor 2018, 16:33

  • Share

Të gjithë kemi dëgjuar për klanin mafioz të Camorra-s dhe panikun që ka ngjallur prania e tij në Itali. Të jetosh në një zonë të frikshme, ku të gjithë të thonë “As mos guxo të shkosh atje!”, dhe që, jo pak herë sheh tymin e makinave të djegura pas një grabitjeje apo akti kriminal, nuk është një film, por një realitet i jetuar nga artisti i njohur italian Eugenio Tibaldi.

Jetesa në një shtëpi ilegale, atje ku vepron kjo organizatë kriminale, ka qenë një nga sfidat më të vështira të Eugenio Tibaldit, që ka superuar frikën në emër të filozofisë së artit të tij, që nis me një punë investigative derisa ka shpalosur me sukses muzeve dhe bienaleve të Europës një nga projektet më të zëshme që lidhet me informalitetin dhe ndërhyrjet ilegale në ndërtimet e qyteteve të mëdha të Europës. Një fazë e dytë e këtij projekti do të lidhet edhe me mënyrën sesi janë bërë ndërtimet në Tiranë pas 1991-shit.

Eugenio Tibaldi ka ardhur në Tiranë dhe sapo ka nisur nga puna me një workshop treditor nga 8 deri më 10 Tetor 2018, të titulluar 30 YEAR SOLD ËORKSHOP 2018 TIRANË EUGENIO TIBALDI, që do të jetë edhe zanafilla e përgatitjes së një ekspozite të madhe kolektive për vitin 2019, mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Instituti Italian i Kulturës.

I lindur në Alba CN në vitin 1977, Eugenio Tibaldi ka qenë i tërhequr përherë nga ngjarjet në zonat dytësore. Në vitin 2000 ai u zhvendos në zonën e thellë napolitane, ku filloi një punë hulumtuese mbi lëvizjen informale, duke skicuar edhe një hartë të informalitetit.

Në këto vite, Tibaldi ka punuar rreth qyteteve të: Stambollit, Kajros, Romës, Selanikut, Berlinit, Veronës, Bukureshtit, Torinos, Karakasit dhe Brukselit. Temën e kësaj ekspozite që mori një famë ndërkombëtare në muzetë më mëdha të arteve të Italisë dhe Europës, Eugenio Tibaldi e ka prezantuar përmes një dokumentari dje në workshipin e zhvilluar me studentët  Universitetit të Arteve dhe me pjesëmarrjen e artistëve të njohur shqiptarë si Driant Zeneli, Adrian Isufi, dhe drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Alessandra Bertini Malgarini.

Çfarë fytyre kanë marrë qytetet italiane, të rejat dhe të vjetrat. Ç’ka ndodhur me ndërhyrjet informale dhe si përshtatet individi duke thyer ligjet e ndërtimit dhe arkitekturës në emër të instinktit të mbijetesës. Një temë që evokon një filozofi të veçantë dhe të zgjeruar, dhe që vjen me një stil investigativ të fortë, por edhe një metodologji artistike të veçantë, duket se e ka kthyer veprën e Tibaldit në një nga veprat më të mëdha të artit bashkëkohor.  Veprat e tij janë paraqitur në institucione publike dhe private në Itali dhe jashtë saj.

Dje në Universitetin e Arteve, Shqiptarja.com ka intervistuar Eugenio Tibaldin, pas prezantimit të veprës së tij, dhe projektit që do të vijojë me ndërtimin e një tjetër ekspozite të madhe në Tiranë.

Tibaldi rrëfen metodologjinë e punës së tij, duke u shprehur se: “Kujtimet e mia veprojnë më tepër përmes pamjeve sesa përmes datave. Pamja që më ka dhënë ndjenjën e ndryshimit në vendet e Ballkanit pas vitit 1989 ka qenë pa dyshim zbarkimi i anijes “Vlora” në Bari në vitin 1991. Tridhjetë vjet përbëjnë kohë të mjaftueshme për pasqyrimet e para mbi ngjarjet e shfaqura dhe të zhvilluara nën rendin e ri politik dhe shoqëror e Tirana përfaqëson një termometër të mundshëm mbi të cilin mund të arsyetohet. Përmes një gjendjeje rrethanore, do të ecim nëpër hapësira të caktuara të qytetit në kërkim të hollësive, të gjurmëve estetike që janë në gjendje ta tregojnë këtë ndryshim dhe zhvillimin e tij në kohë.

Do të mbledhim pamje, të dhëna dhe arsyetime që do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë çastin që ne jetojmë. E gjithë kjo do të zhvillohet në qendër të qytetit, duke analizuar estetikën institucionale, si dhe mënyrën e saj të lidhjes dhe paraqitjes me botën e jashtme, por edhe nëpërmjet hapësirave dytësore (të margjinalizuara), pikërisht sepse janë pak të mbrojtura dhe pak të dashura, të përzgjedhura për ndryshime kulturore, të lira nga ndjenja e qytetarisë dhe ruajtjes”, shprehet Eugenio Tibaldi. Ai ka shtuar ndër të tjera se në fund të punës së gjithsecilit do të krahasohen ngjarjet e hasura dhe gjetjet estetike, me qëllim ndarjen dhe rritjen e të dhënave që do të përdoren më vete nga secili prej artistëve për ndërtimin e punës vetjake. Bëhet fjalë për drejtimin dhe ndërtimin e një instalacioni përmes vështrimit dhe krahasimit të artistëve të rinj dhe intelektualëve të lindur e rritur tashmë në sistemin e ri në Tiranë pas viteve 1991.

Intervista

Një artist që vini nga një vend me tradita dhe bërthamë e punës suaj nis me detaje nga arenteir i shtëpisë suaj. Cili është qëllimi i ekspozitës që do të ndërtoni në Tiranë?

Mbas momentit që ndodh një dukuri, në shtëpinë apo në qytetin ku jetoj, unë arsyetoj sipër saj dhe pastaj ndërtoj atë metodën mbi të cilën pastaj ndërtoj edhe veprën. Qëllimi i punës time në Tiranë është të drejtojë vështrimin e artistëve në krahasim me ato që mund të jenë anë të një tregimi që përpiqen të varrosen nga ngjarjet e mëdha, të kuptojnë ndryshimin përmes gjurmëve të vogla që ofron qyteti. Në të njëjtën kohë të udhëhiqen nga aftësia për të kuptuar mjedisin nga ata që e kanë njohur gjithmonë sipas këtij rendi dhe për këtë arsye janë të lirë nga paragjykimet dhe prapamendimet e tipit shoqëror dhe politik. Pamjet, mendimet, veprimet dhe shkrimet do të jenë pjesë e hapësirës, nga ku do të përpunohet puna fundore që do të jetë përfundim i një regjistri të dyfishtë: ai i ndërtimit bashkërisht dhe ai punës përfundimtare i kryer në studio që do të përmbledhë mendimet që unë kam krijuar gjatë hapave operativë dhe studimorë.

Çfarë të shtyn të investigosh duke rendur e jetuar në qytete të ndryshme të botës për një temë që nis që nga vendlindja juaj, shtëpia juaj?

Gjëja e parë që më nxiti është fakti që unë jam larguar nga qyteti im, që është Alba, sepse unë nuk ndjehesha mirë atje. Nuk është se unë kisha ndonjë shtrëngesë për të jetuar apo se qyteti im nuk ishte miqësor me mua, por isha shumë i ri në atë kohë dhe ashtu ndjehesha. Ishte një veprim rinor dhe pak i nxituar, por që i detyrohem pikërisht asaj lëvizjeje, që tashmë unë nuk nguroj ta bëjë vazhdimisht dhe nuk ndalem. Dhe për të ndërtuar e treguar gjërat e mia, duhet të lëviz në shumë vende.

Ajo që më bëri përshtypje gjatë prezantimit të punëve tuaja, ishte puna e pop up-ëve, ku përmes kësaj vepre ju treguat peizazhe të frikshme të periferive, ku mafia e Camorras vepronte dhe aty thatë se për shumë vite kishit shtëpinë tuaj. Si mundët të jetonit pikërisht në atë zonë të frikshme?

Ky ka qenë një eksperiment i jetës sime. Unë kam qenë atje pikërisht në atë periudhë ku nisën atentatet e Camorra-s. Dhe kushdo të thoshte në atë kohë se në zona të tilla nuk mund të shkoje, se atje “as të mos guxoje të jetoje”. Se ishte e ndaluar të shkoje atje. Dhe unë u ndjeva i frikësuar mbi gjithë këtë panik që ishte ngritur. Dhe vërtet këto ishin territore ku ishte e ndaluar të shkoje të jetoje, por unë shkova pikërisht aty për të mposhtur frikën time.

Si e realizove mundësinë për të shkuar atje?

Teknikisht?

Realisht si qytetar, si veprove për të pasur një status normal, si e pagove qiranë, çfarë qëndrimi do të mbante policia e drejtësia me ju?

Është histori pak e gjatë. Atje asgjë nuk është legale, edhe për të marrë një shtëpi nuk është legale. Është i gjithi një sistem që ti e mëson rrugës; se si duhet të merrje edhe energjinë elektrike, sesi të merrje edhe postën. Janë disa rregulla dhe kur i pranon këto rregulla, atëherë mund të jetosh atje.

Bashkëjetonit me qytetarët atje, apo rrinit në distancë?

Unë isha pjesë e atij realiteti, dhe unë shkoja e haja në shtëpitë e tyre, dhe ata hanin edhe në shtëpinë time?

Kishit elementë të lidhur me krimin në komunitetin tuaj?

Jo, jo. Nuk ishin të gjithë persona që i përkisnin rrjetit kriminal. Ishin të gjithë ilegal që jetonin atje. Por aty ishte vërtetë një vend i frikshëm, sepse ata të Camorra-s atje digjnin makinat që i përdornin për grabitje apo krime dhe i digjnin aty. Kishte emigrantë dhe persona që punon nëpër kantiere abuzive. Ishte një pallat që ishte ndërtim i paligjshëm dhe atje punonin shumë, sidomos emigrantët që vinin nga Afrika. Pallati  e kishte emrin Gana dhe gjithë të rinjtë me ngjyrë i shfrytëzonin, duke i përdorur në ndërtim. Ishte dhe një pallat tjetër dhe aty punonin të gjithë ata që shkonin për pastrimin e tij në lagje, por ishte i administruar nga disa persona, por kriminelë. Dhe ata nuk është se jetonin pikërisht aty. Ata vetëm administronin. Kriminelët jetonin në qendër. Unë vetë jetoja mes atyre njerëzve që ishin vetëm ilegalë dhe jo kriminelë.

Çfarë të mësoj qëndrimi atje për forcën e ligjit apo të shtetit?

Nuk gjykohet një shtet për një vend. Unë nuk isha aty për të gjykuar shtetin. Unë kam shkuar në atë vend për të bërë punën time, dhe jam larguar nga ai vend shumë i pasur. Unë atje vlerësova komoditetin e ilegalitetit. Jo çdo gjë ilegale është e shëmtuar. Ilegalja është edhe e bukur. Legaliteti dhe drejtësia janë dy gjëra të ndryshme.

Përse menduat Tiranën për fazën tjetër të një projekti të madh si ky juaji?

Alessandra Malgarini, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës e njihte punën time, dhe më kishte  shkruar se nëse do të isha i interesuar ta bëjë një projekt të tillë në Tiranë. Unë i thashë po menjëherë. Dhe menjëherë kam pranuar të bëjë një punë për Tiranën, sepse kisha kohë që e kisha  menduar, i nxitur edhe nga disa shkrime në një revistë prestigjioze të arkitekturës për të. Një shtysë ka qenë dhe Driant Zeneli, që e njoh si artist që në Itali dhe kështu ka qenë kjo një punë që nisi me shumë mikpritje.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?