Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente foli pasi ekipi i tij fitoi Kampionatin Evropian "Gjermani 2024". Triumfi 2-1 kundër Anglisë solli trofeun e katërt për Iberikët, duke u bërë ekipi me më shumë të tillë në Evropë.
De la Fuente tha se ata e merituan gjithçka, teksa fituan shtatë takime në këtë turne, gjë që nuk ishte bërë më parë. Theksi i tij ishte te të rinjtë Yamal dhe Williams.
“Shpresoj që ky moment të ndihmojë të jemi më të mirë çdo ditë. Gjithmonë përmirësohemi, ky është qëllimi ynë, virtyti i kësaj skuadre është se ne gjithmonë mendojmë të jemi pak më të mirë. Nuk mund të jesh më i lumtur se kaq. Duke parë gëzimin e tifozëve, lojtarëve… Sot ishte një ditë e mrekullueshme, një ekip kampion europian u kurorëzua me meritë.
Sot jam edhe më krenar, duhet të përmirësohemi dhe do ta bëjmë sepse këta lojtarë janë shembull për të gjithë, janë shumë të mirë. Williams dhe Yamal, janë dy lojtarë të mrekullueshëm dhe dy djem të jashtëzakonshëm, të cilët duhet të vazhdojnë të rriten. Ne jemi me fat që i kemi, ata sjellin kaq shumë gëzim në futbollin spanjoll.
Morata? Ai është kapiten dhe cilësitë e tij futbollistike dhe njerëzore nuk janë vënë në pikëpyetje, në fakt nuk njihet për gjithë punën që bën”, u shpreh De la Fuente.