DORTMUND - Portugalia mundi 0-3 Turqinë në ndeshjen e dytë të Grupit F të Euro 2024 dhe bëhet skuadra e tretë pas Gjermanisë dhe Spanjës që ka siguruar kalimin në 1/8 e turneut.
Në "Iduna Park" me Cristiano Ronaldon në sulm, luzitanët nuk e patën të vështirë përballë një Turqie që nuk ishte ajo që disa ditë më parë mundi Gjeorgjinë. Ndeshja u zhbllokua pas 21 minutave lojë me golin e Bernardo Silvas, teksa autogoli "i çuditshëm" i Akaydin në të 28 minutë i dha epërsinë 0-2 portugezëve të Martinez.
Në fraksionin e dytë u kujdes Bruno Fernandes që pas asistit të Ronaldo "vulosi" tri pikët dhe kualifikimin e Portugalisë për në fazën e 1/8. Me gjashtë pikë dhe me një ndeshje për të luajtur, tanimë Portugalia është e qetë dhe mund të bëjë rotacion në sfidën e tretë të grupit.
Ndërkohë në këtë duel Ronaldo me shtatë asiste bëhet lojtari që ka kontribuar më shumë në Europiane sa i takon pasimit të fundit. Gjithashtu ai mban edhe rekordin me më shumë gola në Euro, plot 14-të.
Formacionet zyrtare:
Turqia: Bayindir; Çelik, Akaydin, Bardakci, Kadioglu; Calhanoglu, Ayhan; Akgun, Kokcu, Akturkoglu; Alper Yilmaz.
Portugalia: Costa; Mendes, Dias, Pepe, Cancelo; Palhinha, Vitinha; Leao, Bruno, Silva; Ronaldo.