Spanja fitoi 2-1 me Francën dhe tashmë është në finalen e Euro 2024. Por një episod thuajse i pabesueshëm ka ndodhur në fund të kësaj sfide, teksa futbollistët e kombëtares spanjolle po festonin.
Ndërsa lojtarët e de La Fuentes ishin në pjesën e stadiumit ku ndodheshin tifozët e tyre për të festuar kualifikimin në finalen e së dielës, një tifoz hyri në fushë duke shkuar në drejtim të lojtarëve të Spanjës.
Por ai u ndoq menjëherë nga një grup rojesh të sigurisë. Njëri prej tyre rrëshqiti në fushë dhe padashje goditi dhe rrëzoi Alvaro Moratën. Sulmuesi i Spanjës u ngrit dhe duke çaluar nga dhimbjet iu bashkua grupit të shokëve të skuadrës.
Një ngjarje e papritur kjo për Spanjën dhe të gjithë janë të shqetësuar për fatin e kapitenit, pasi mjekët ende nuk kanë konfirmuar se si është gjendja e Moratës dhe nëse do të jetë apo jo në finale. Sulmuesi spanjoll, pas Evropianit me gjasë do të rikthehet në Itali për të veshur fanellën e Milanit.