Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe njëherazi një nga zv.presidentët e UEFA-s, Armand Duka foli pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i dha dritën jeshile bashkorganizimit nga Shqipëria dhe Serbia të Euro 2027 për 21-vjeçarët.
Armand Duka tha se një turne i tillë do jetë më shumë se futboll, ndërsa do thyhen barrierat mes dy popujve.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit", tha kreu i FSHF-së.
Duka u ndal edhe te modernizimi i infrastrukturës sportive.
"Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, tha Duka.
Lajmi kryesor:
UEFA e bën zyrtare, Euro 2027 organizohet në Shqipëri dhe Serbi! Ndeshja hapëse në Novi Sad, finalja në Tiranë
S.Dh/ReportTv.al