Southgate dhe Mancini

EURO 24/ “Është rrugë e gjatë”, Mancini nuk e bën dramë! Southgate: Luftuam, fituam...  

24 Mars 2023, 10:02| Përditesimi: 24 Mars 2023, 16:13

  • Share

Roberto Mancini, trajneri i Italisë, kërkon të shoh përpara, Anglia ishte thjesht pengesa e parë, më e forta. Të kaltrit humbën 1-2 në Napoli me Anglinë, në përballjen e parë për kualifikueset Euro 2024 në grupin C. "Tre Luanët" fitojnë për herë të parë në tokën italiane qysh prej vitit 1961.

“E dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Pësuam dy gola nga goditje standarde, por më pas, në pjesën e dytë morëm kontrollin dhe dominuam, e meritonim të barazonim. Na vjen keq që e nisëm kështu, por rruga është ende e gjatë”, u shpreh Mancini duke bërë më pas edhe një koment për Retegiu, një nga detajet pozitive të Italisë në këtë debutim për Euro 2024.

“Ka vetëm tre ditë me ne, ka nevojë të njihet me shokët dhe me futbollin italian, i duhet kohë”, theksoi trajneri i Italisë.

Kjo fitore i shijon trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate. Për të kjo ishte një ndeshje e veçantë pasi siguroi fitoren e 50-të në krye të Anglisë, trajneri i tretë në histori që e bën diçka të tillë me “Tre Luanët”.

“Treguam dy anët e medaljes, pjesën e parë kontrolluam mirë, ndërsa me fillimin e së dytës gabuam në shumë vendime. E rëndësishme është që luftuam, vuajtëm dhe sollëm në shtëpi tre pikët”, u shpreh Southgate pas ndeshjes.

Feston për këtë fitore me golin e tij rekord (54 në 80 ndeshje), kapiteni Harry Kane. Ai bëhet golashënuesi më i mirë i "Tre Luanëve" në histori.

“Është fantastike të rikthehesh dhe të fitosh në Itali pas kaq shumë vitesh. Ishte shumë speciale për mua, e paharrueshme. Falënderoj të gjithë ata që bënë të mundur që kjo ëndërr të realizohej”, u shpreh Harry Kane, golashënuesi më i mirë i Anglisë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?