Kombëtarja U-21

Euro 25/ Shpresat e Alban Bushit s'ia dalin, Zvicra fiton 1-3 në 'Air Albania'

26 Mars, 18:59| Përditesimi: 26 Mars, 20:05

  • Share

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka humbur 1-3 nga moshatarët e Zvicrës në "Air Albania". Dueli i zhvilluar në Tiranë vlente për grupin E të kualifikueseve të Euro 2025 për këtë moshë, teksa tanët nuk mundën të fitonin as këtë duel, ndërsa katër ditë më parë barazuan 0-0 kundër Finlandës po në Tiranë.

Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simoni, Dajko, Gjini, Bajrami, Buxhelaj, Berisha, Feta, Mjaki, Rashica, Pajaziti dhe Nikaj. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Selimaj, Stiven Shpendi, Frroku, Rexhepi e Kurtulan.

Ndeshja për miqtë u zhbllokua nga Surdez në minutën e 29-të, teksa në fraksionin e dytë Sanches (60') dhe Keller (76') mbyllën llogaritë e ndeshjes. Në fund të takimit, Stiven Shpendi shënoi golin e vetëm për tanët në të 90+3 minutë.

Pas shtatë ndeshjeve të luajtura, kuqezinjtë e vegjël mbajnë vendin e katërt me dhjetë pikë, po aq sa ka edhe Finlanda që mban vendin e tretë. Grupi E kryesohet nga Zvicra me 14 pikë dhe Rumania me 13 pikë. Ndërkohë që Mali i Zi dhe Armenia janë në vendet pesë dhe gjashtë.

Ndeshja e radhës për Kombëtaren U-21 të futbollit është më 7 qershor kundër Malit të Zi, teksa më 6 shtator përballen me Zvicrën. Kjo fushatë mbyllet më 15 tetor kundër Armenisë.

Ora 20:03
Humbja 1-3 e Kombëtares U-21, Alban Bushi: I falëm golat, Zvicra më e freskët fizikisht


Kombëtarja U-21 u mposht nga moshatarët e Zvicrës 1-3 në "Air Albania", me sfidën që vlente për kualifikueset e grupit E të Euro 2025. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i kuqezinjve. Alban Bushi tha për Supersport se ishin gabimet ato që vendosën lojën, teksa nuk do heqin dorë nga kualifikimi.

"E dinim forcën e Zvicrës, një kundërshtar shumë i fortë në letër, por edhe në fushë sigurisht. Nuk shkoi mirë ndeshja për gabimet tona, edhe pse Zvicra e kontrolloi lojën.

Bëjmë gabime individuale, duke ia falur vetë golat kundërshtarit. Mundohemi të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Zvicra ishte më e freskët fizikisht, nuk kishte luajtur pak ditë më parë si ne dhe kjo dukej në lojë. Kemi dhe 3 ndeshje, janë ende pikë në lojë dhe mund të ndodhë gjithçka. Nuk është se do të tërhiqemi në objektivin tonë, do të bëjmë maksimumin.

Kishim 3-4 lojtarë që janë më të vegjël në moshë, të cilët janë edhe për sezonin e ardhshëm. Kemi një lojtar, një numër 6, më të mirin që kemi pasur. Çunat luftuan në fushë, u përpoqën, ndaj dhe nuk mund të them se i zhgënjyem tifozët që ishin në stadium”, deklaroi Bushi për “Supersport” pas ndeshjes.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?