Euro e dollari fitojnë terren ndaj lekut, por janë 15% më poshtë se vjet! Konfindustria kërkesë BSH: Kujdes me rritjen e normës bazë të interesit, po ndikon në kursin e këmbimit

4 Dhjetor 2023, 17:09| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 17:45

  • Share

Forcimi i lekut vijon të jetë prezent në treg, duke bërë që euro dhe dollari të prekin vlerat më të ulta pas kulmit të sezonit turistik. Por java ka nisur me përmirësim të lehtë për të dyja monedhat në raport me monedhën kombëtare Lekë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro sot po këmbehet me 101.75 lekë, nga 101.17 lekë që ishte të premten, duke u rritur me 0.58 pikë. Pavarësisht këtij përmirësimi të lehtë të euros kundrejt lekut, në krahasim me vitin e kaluar është 15.03 lekë më pak.

Po ashtu janë përmirësuar edhe pozitat e dollarit, i cili po këmbehet me 93.6 lekë nga 92.8 lekë që ishte në fund të javës së kaluar. Zhvlerësimi i dollarit krahasuar me vitin e kaluar është 17.3 lekë.

Për këtë zhvlerësim kryesisht të euros nga e cila preket më shumë ekonomia jonë, ka reaguar edhe Konfindustria, duke i bërë thirrje Bankës së Shqipërisë të tregohet e kujdesshme në lëvizjet e normës së interesit pasi po impaktohet kursi i këmbimit, dhe po thellohen humbjet e eksportuesve.

“Konfindustria vlerëson, se forcimi i fundit i Lek-ut erdhi menjëherë dhe ishte e pritshme pas rritjes së fundmi të normës bazë të interesit nga vendimi i paarsyetuar i Bankës së Shqipërisë. Fluksi turistik në muajin nëntor 2023 është krejtësisht i parëndësishëm për të ndikuar në forcimin e LEK-ut. Gjithashtu, mjaft shqetësues për nga ndikimi në tregun valutor, ishte edhe paralajmërimi nga BSH për rritje të mëtejshme të pritshme të normës bazë të interesit. Monedha evropiane ishte tashmë zhvleftësuar me mbi 15-16% kundrejt Lek-ut në një periudhë pothuaj 1 vjeçare, duke vënë në vështirësi të mëdha industritë, eksportet shqiptare, duke rrezikuar deri në falimentim. Eksportet shqiptare kanë rënë me afër 30% në vitin 2023 dhe sektorët e manifakturës kanë humbje, që shkojnë deri në 100 milionë euro/vit”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

Nga ana tjetër Konfindustria vlerëson se kjo rritje e vazhdueshme e normës bazë po shtrenjton kreditë dhe nuk është zgjidhje për inflacionin.

“Pasoja tjetër është shtrenjtimi i kredive për biznesin dhe qytetarët, të marra në monedhën shqiptare. Konfindustria vlerëson, se inflacioni i prodhuar edhe nga rritja e fortë e pagave të sektorit publik në vitin 2023 nuk mund të luftohet me sukses në afatgjatë vetëm nga shtrenjtimi i kreditimit. Në kushtet e sistemit ekonomik shqiptar me shfaqje të qarta të mungesës së konkurrencës, pranisë së monopoleve dhe rrymave të mëdha të parave ‘gri dhe të zeza” nga jashtë dhe korrupsionit, rritja e inflacionit ka pamundësi objektive të luftohet vetëm me masa klasike të politikës monetare”, vijon më tej deklarata.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?