Foto ilustruese

Euro thellon rënien, po blihet me 97 lekë dhe shitet me 98 lekë! Monedha Evropiane është zhvlerësuar me 6.5% krahasuar me vjet

8 Nëntor, 17:20| Përditesimi: 8 Nëntor, 17:31

  • Share

Edhe pse Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë euro me qëllim stabilizimin e monedhës evropiane dhe për të rritur rezervën valutore, por përsëri nuk po e ndal zhvlerësimin.

Këtë të premte euro regjistroi vlerën më të ulët historike përballë lekut. Banka e Shqipërisë thotë se një euro u ble me 97 lekë dhe është shitur 98.1 lekë. Mesatarisht euro sot këmbehet me 98.1 lekë niveli më i ulët historik. Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar monedha evropiane është zhvlerësuar me 6.5%.

Kriza e euros do të ishte më e thelle nëse Banka e Shqipërisë, nuk do të kishte blerë 137.6 milionë euro në gjashtëmujorin e parë për të stabilizuar tregun. Deri në fund të vitit banka do të tërheqë nga tregu 330 milionë euro për të ndalur zhvlerësimin dhe rritur rezervën valutore.

Nga ana tjetër buxheti i shtetit ka humbur 120 milionë euro deri më tani nga zhvlerësimi i euros. Ministria e Financave thotë se kursi i këmbimit është rrezik edhe për të ardhurat e planifikuara për tu mbledhur në 2025-ën. Institucionet thonë se shkaku kryesor i zhvlerësimit të euros por edhe të dollarit është turizmi, dhe fluksi i lartë i prurjeve valutore, si nga investimet ashtu edhe nga remitancat.

Fituesit e zhvlerësimit

Ky zhvlerësim i lekut për buxhetin e shtetit, bizneset e qytetarët ka avantazhe e disa avantazhe. Ka ndikim pozitiv në shlyerjen e borxhit në valutë, pasi këstet e kthimit janë më të lira, pasi konvertimi i euros në lekë është shumë më i ulët.

I njëjti efekt pozitiv është edhe për qytetarët që kanë kredi në euro, kësti i tyre vlen më pak kur e këmben në lekë. pozitivisht do të ndikonte edhe në pagesat e qirave në euro, nëse tregu do të ishte i formalizuar. Po ashtu kanë përfituar edhe importuesit pasi kanë blerë të njëjtën sasi malli me më pak lekë. Ndikim pozitiv ky zhvlerësim duhet të kishte dhënë edhe në uljen e çmimeve për mallrat e importuara, duke nisur që nga karburanti e deri tek produktet ushqimore.

Humbësit e zhvlerësimit

Zhvlerësimi i euros godet eksportuesit pasi për të njëjtin sasi malli që shesin jashtë vendit fitojnë më pak pasi këmbimi euro në lekë është shumë më i ulët se vjet.

Qytetarët që kanë të ardhurat në euro po ashtu humbasin pasi përfitojnë më pak lekë, e po ashtu humbin edhe nga remitancat që ju sjellin të afërmit e tyre, pasi për një dërgesë prej 1000 euro, ata marrin vetëm 98 mijë lekë kur i konvertojnë. Humbet edhe buxheti i shtetit pasi fiton më pak para nga të importet, për shkak të zhvlerësimit të euros mblidhen më pak para nga TVSH-ja në doganë dhe nga akciza.

 

E.Gj/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?