Harvey Elliott (Angli) dhe shqiptari Brajan Gruda (Gjermani)

Sport

Euro U-21/ Shqiptarët 'bëjnë ligjin' me gola, Gruda dhe Weiper dërgojnë Gjermaninë në finale! Përballja e tretë kundër Anglisë

26 Qershor, 10:35| Përditesimi: 26 Qershor, 10:37

  • Share

SLLOVAKI - Gjermania dhe Anglia do diskutojnë trofeun e Europianit 2025 për 21 vjeçarët që po zhvillohet në Sllovaki. Pasi mposhtën Francën me rezultatin 3-0, gjermanët e trajnerit Di Salvo gjejnë në finale ekipin e Anglisë, me 'Tre Luanët' që nga ana e tyre kaluan 2-1 Holandën. Finalja mes Gjermanisë dhe Anglisë do jetë e treta mes tyre në këtë kompeticion, me dy skuadrat që e kanë fituar nga tre herë trofeun; një herë kundër njëra-tjetrës në finale.

Gjermani U21 - Francë U-21 3-0

Gjermania nuk e diskutoi Francën duke e mposhtur 3-0 për të marrë biletën e finales, njësoj si në vitin 2021 kur ngriti trofeun. Vetëm tetë minuta lojë iu deshën sulmuesit shqiptar Nelson Weiper për të shënuar golin e epërsisë. Nelsoni ishte sërish protagonist në golin e dytë, duke nisur aksionin që në fund përfundoi në këmbët e Woltemade që shënoi për 2-0. Në minutën e 72-të në fushë u hodh Brajan Gruda, me shqiptarin tjetër të Gjermanisë që u ndëshkua me karton të verdhë pas vetëm katër minutave në fushë. Anësori Gruda e kishte lënë "magjinë" për në fund dhe në shtesën e tretë "vulosi" shifrat për 3-0. Lojë e shkëlqyer nga Gruda që me vetëm 20 minuta në fushë u shpall "Njeriu i Ndeshjes".

Angli U21 - Holandë U21 2-1

Anglia fitoi 2-1 kundër Holandës dhe në finalen e 28 qershorit do kërkojë të mbajë froniin, duke qenë se janë kampionët në fuqi të këtij turneu dy vite më parë. "Tre Luanët" e vegjël kaluan në avantazh me golin e Elliott në minutën e 63-të, para se Ohio (72') të barazonte shifrat dy minuta pasi u fut në fushë. Biletën për në finale Anglisë ia dha mesfushori i Liverpool, Harvey Elliott, që në minutën e 86-të shënoi dopietën personale.

Finalja - Në datën 28 qershor në orën 21:00 në stadiumin e Bratislavës skuadrat e Gjermanisë dhe Anglisë do diskutojnë trofeun e Euro U-21. Dueli do gjykohet nga holandezi Sander van der Eijk.

Çfarë duhet të dini

Dy fitueset e fundit të këtij turneu, Gjermania në vitin 2021 dhe Anglia në vitin 2023 do të takohen në finale.

Do të jetë ndeshja e tyre e dytë kundër njëri-tjetrit në Sllovaki, pasi “Tre Luanët” humbën 2-1 ndaj Gjermanisë në ndeshjen e Grupit B më 18 qershor.

Të dyja skuadrat e kanë fituar këtë trofe nga tre herë. Gjermania mundi Anglinë 4-0 në finalen e vitit 2009, ndërsa Anglia fitoi me rezultatin e përgjithshëm 5-4 ndaj Gjermanisë Perëndimore për të fituar trofeun e vitit 1982.

Gjermania ka shënuar 15 gola në pesë ndeshjet e saj në turneun e Sllovakisë dhe ka pësuar pesë herë, pasi e kaloi fushatën kualifikuese e pamposhtur me tetë fitore dhe dy barazime nga 10 ndeshjet e saj.

Statistikat mes tyre

Në gjithë historinë e përballjeve, përfshi edhe miqësoret Gjermania U-21 dhe Anglia U-21 janë përballur 20 herë. Nga tetë fitore për secilën skuadër dhe katër barazime. 32 gola ka shënuar Anglia, kundrejt 33 të shënuar nga gjermanët në portën e "Tre Luanëve".

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?