Neli Demi, kandidat i Koalicionit Euroatlantik në Tiranë, foli për rezultatin e dobët që pësuan në zgjedhjet e 11 majit. Në një intervistë për Report TV, ai tha se pritshmëritë e tyre ishin të larta, duke marrë parasysh analizat që kanë bërë dhe komunikimi që kanë pasur me njerëzit gjatë fushatës.
I pyetur nga gazetari Nertil Agalliu, nëse e njeh rezultatin e zgjedhjeve, ai shprehu rezerva, por shtoi se diferenca e thellë e maxhorancës me opozitën, tregon se kjo e fundit ka dështuar.
“Unë nuk do të doja të futesha në interpretime të parakohshme. Procesi zgjedhor, pavarësisht se ka filluar certifikimi i rezultateve, mendoj se në terma ligjorë dhe të ndjekjes së të gjitha atyre procedimeve penale që kanë filluar do të dojë kohë të qartësohet sa i përket sesa në të vërtetë ky rezultat përfaqëson vullnetin e popullit. Do t’i qëndroja me rezerva një përfundim. Por ka një gjë që në përgjithësi duket e qartë, diferenca midis maxhorancës dhe opozitës është mjaftueshëm e thellë për të thënë se opozita ka dështuar në këto zgjedhje, përfshirë dhe koalicionin ku unë bëj pjesë. Pritshmëritë tona ishin shumë më të mira sesa kaq sa kemi marrë. Ishin pritshmëri që mbështeteshin në përfundime racionale që ne kemi marrë nga analizat tona të mëparshme por edhe në një ndjesi emocionale që patëm gjatë fushatës, duke takuar njerëz, përgjigjet e tyre.”, u shpreh ai.
Sipas tij, Basha ka qenë në mënyrë të padrejtë objekt i sulmeve politike, më të mëdhatë të bëra ndonjëherë ndaj një lideri politik. Ai thotë se mendonte që momenti i duhur për t'i hyrë politikës ishte pas 2021, kur brenda PD-së, gjërat u sqaruan më shumë dhe u krijua sipas tij një terren pjellor.
"Gjithsesi pas 2021, atëherë kur unë me të vërtetë mendova se është momenti i duhur për t'u bërë aktiv në politikë pasi gjërat në raportet në PD u sqaruan më tepër, dhe u krijua një terren goxha pjellor për të sjellë një ndryshim të rëndësishëm, në mënyrën se si kjo forcë politike mund të bënte politikën në të ardhmen. Mendova se është momenti i duhur për të marrë pjesë dhe kontribuuar në këtë forcë politike. Këto sulme baltosja, përqeshja, keqinterpretimi kanë qenë të pranishme kryesisht të fokusuar në drejtim të figurës së zotit Basha por edhe të tjerëve që i ndenjën pranë. Dhe unë në një farë mënyre.", u shpreh Demi.
Ndalur te Berisha, ai tha se e ka mbyllur ciklin e tij politik dhe fatkeqësisht, prezenca e tij në PD, po shkakton më shumë dëme jo vetëm brenda partisë, por në të gjithë kampin opozitar.
“Zoti Berisha ka premtuar shumë gjëra në karrierën e tij. Disa prej tyre kanë pasur sukses, jo domosdoshmërisht për shkak të premtimit të tij por shumë konjukturave të tjera të brendshme dhe të jashtme, por mendoj se Berisha e ka përmbyllur përfundimisht kontributin e tij. Nuk ka çfarë t’i japë këtij vendi më, dhe këmbëngulja e tij fatkeqësisht po shkakton dëm jo vetëm në PD por po përhapet në të gjithë harkun opozitar, dhe që do të reflektohet si dëm për të gjithë vendin. Mungesa e një opozite të besueshme pavarëssht numra që PD ka, por janë në rrudhje, këto zgjedhje konfirmuan në mënyrë të qartë edhe përmasat e tij atrofizimin, kemi numër të lartë mandatesh të munguara në krahasim me 2021. Këtu pastaj mund të futen interpretime që jo Basha, tjetri e tjetri na kanë prishur punë duke krijuar partiçkat e vogla, gjë që për mendimin tim është interpretim i padrejtë se njerëzit kanë të drejtë të zgjedhin të bëjnë atë që duan për sa kohë nuk shkaktojnë dëm për të tjerët. Politikisht secili ka të drejtë të zgjedhë dhe krijojë partinë e vet dhe të tërheqë mbështetësit e vet. "
Demi u shpreh gjithashtu se opozita do ta ketë të vështirë marrjen e pushtetit për sa kohë kontrollet nga Berisha, të cilit iu referua si "pronari". Sipas tij, edhe vetë kreu i PD dhe personat që i shkojnë nga pas kanë qenë më se të vetëdijshëm se nuk do të mund të triumfonin në këto zgjedhje.
"Me Berishën opozita e ka të pamundur të vijë në pushtet. Pa Berishën gjërat mund të ndryshojnë edhe në raport me të gjitha këto forca të tjera politike, qoftë edhe me riformatim të PD. Mendoj se PD ka mjaftueshëm individë dhe forca të brendshme që mund të gjenerojnë energji pozitive, por të cilët për një arsye apo tjetër, ose kanë ngecur në një guacskë politike dhe nuk dalin më tej, ose nuk lejohen më vjen keq të them që kolegu im Ilir Alimehmeti ndodhet përpara një pozicioni të tillë të diskutueshëm do të jetë apo jo në parlament, duke pasur parasysh profilin e tij politik dhe human e social që ka. Nuk është e rastësishme se është ndjekur një strategji e qëllimshme për të krijuar një rezultat të tillë. Nuk mendoj se Berisha apo njerëz afër tij kanë pasur iluzion se mund të fitojnë zgjedhjet. Qëllimshmëria qëndron te fakti i përfitimeve nga të qenit pronar i opozitës. Nuk mendoj se është fjalë e ekzagjeruar.", u shpreh Demi.
Komente
