Eurobondi 650 milionë euro, ekspertët: Mund të merret brenda vendit! Të studiohet tregu

4 Qershor 2020, 16:58| Përditesimi: 4 Qershor 2020, 17:25

  • Share

Kuvendi miraton me 86 vota pro 12 kundër 5 abstenim projektligjin për emetimin e eurobondit dhe përjashtimin e tij nga taksat dhe tatimet. Një ditë më parë presidenti Ilir Meta refuzojë të miratojë miratimin e menjëhershëm të ligjit, me argumentin se nuk sqarohen arsyet e kësaj emergjence për të marrë këtë borxh. Pas këtij refuzimi Komisioni i Ekonomisë dhe Grupi i PS kanë bërë amendamentet e nevojshme duke bërë ndryshime në këtë projektligj dhe duke marrë parasysh edhe propozimet e presidentit. Pas këtij procesi Ilir Meta ka dhënë aprovimin e tij për hyrjen në fuqi menjëherë të projektligjit, që synon përjashtimin nga çdo detyrim tatimor i transaksioneve dhe veprimeve që bëhen në kuadër të eurobondit.

Edhe pse tashmë është bërë fakt që vendi do të dalë në tregjet e huaja për një eurobond në vlerën e 650 milionë eurove, ekspertët këshillojnë Ministrinë e Financave të tregoj kujdes pasi situata është e paqëndrueshme. Sipas tyre nevoja për likuiditet mund të garantohet edhe nga tregu i brendshëm, pra borxhi mund të merret edhe nga sektori bankar vendas dhe paraja mbetet brenda vendit.

“Nuk është koha e përshtatshme që të kërkosh të rrisësh borxhin pavarësisht se nga kriza të gjitha vendet dalin me një rritje borxhi, por nivelet duhet të jenë të arsyeshme. Pasi keni parasysh se do të marrim një borxh të lartë për rimëkëmbjen nga tërmeti. Nga ana tjetër shikoj opsionet që këtë shumë ta ndajmë dhe në dy pjesë ta marrim një pjesë nga tregu i brendshëm sepse ka depozita të mëdha në euro në sistemin bankar shqiptar dhe interesat të mbeteshin depozituesve shqiptar”, shprehet ish ministri i Financave Arben Malaj.

“Më e mira është që borxhi të merret brenda, por duhen parë mundësitë që ka sistemi bankar për të dhënë borxh dhe për të kredituar ekonominë”, sqaron ekspertja Elona Shehu.

Ekspertja e ekonomisë Elona Shehu sqaron avantazhet dhe dis-avantazhet që ka një huamarrje në sektorin financiare të huaj.

“Do të duhet të shlyesh një borxh i cili nuk është më në lekë por në një valutë të huaj, dhe që përballesh edhe me rrezikun e konvertimit të lekut me valutën përkatëse, do të duhet të nxjerrësh valutë jashtë që e bën më të zhvlerësuar monedhën vendase, pra përballesh me disa rreziqe të ndryshme që ti i përkthen në humbje, i përkthen në mungesë të qarkullimit të parasë brenda vendit, sepse ti nuk ja jep më individit ose biznesit në Shqipëri. E mira është se ti nuk shfrytëzon kapacitetin kreditues që ka sistemi bankar në Shqipëri, lë atë hapësirë për biznesin që të kreditohet ai, dhe nga ana tjetër shfrytëzon një mundësi që është me kosto më të ulët”, shpjegon Shehu.

Ekspertët thonë se nuk duhet të rrezikojmë të rrisim borxhin publik në një nivel të paarsyetuar pasi jemi në fazën e rimëkëmbjes dhe të marrjes së kredive edhe për situatën e tërmetit të nëntorit. Eurobondi që pritet të emetohet do të jetë i katërti për vendin tonë, dhe 250 milionë euro do të mbulojnë borxhin e vitit 2015, ndërsa pjesa tjetër do të mbulojë shpenzimet e tjera.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?