Ekonomi

Eurobondi 650 mln euro që u mor në shkurt rriti borxhin publik! Raporti, u rrit me 549 mln euro nga viti i kaluar! Bie borxhi në lekë dhe rritet ai në valutë të huaj

6 Maj, 15:58| Përditesimi: 6 Maj, 16:04

  • Share

Dalja e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar për të emetuar eurobondin e shtatë me vlerë 650 milionë euro në muajin shkurt, ka ndikuar direkt në rritjen e borxhit publik në vend.

Ministria e Financave ka publikuar raportin në tremujorin e parë të këtij viti ku rezulton se borxhi është rritur me 549 milionë euro në raport me vitin 2024, dhe ka arritur në rreth 14.1 miliardë euro.

Në raport me prodhimin kombëtar, niveli i borxhit është rritur nga 53.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto vjet në 54.1% në fund të marsit të këtij viti. Kjo rritje e lehtë ka ardhur vetëm për shkak të borxhit të jashtëm si rezultat i eurobondit, ndërsa borxhi i marrë në LEKË, është në rënie thuhet në raport.

Referuar raportit, vlera më e madhe e borxhit është në monedhën kombëtar, me 7.7 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 6.4 miliardë euro është në valutë.

Vitet e fundit ndikim pozitiv në menaxhimin e borxhit po jep forcimi i lekut dhe dobësimi i valutave, pasi e bën më të lirë kthimin e tij. Konkretisht nëse një këst prej 100.000 euro në 2023 kushtonte 10.3 milionë lekë, më kursin e sotëm kjo vlerë ulet në 9.8 milionë lekë të reja.

Borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e transportit, energjisë elektrike dhe për ujësjellës kanalizime.

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË:
-Viti 2024                13.649 mln euro
-Mars 2025             14.198 mln euro
-Diferenca               +549 mln euro
BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË:
-Viti 2024              53.95% të PBB
Viti 2025               54.18% të PBB
-Diferenca            +0.23% të PBB
BORXHI PUBLIK SIPAS MONEDHËS:
-Në Lekë      7.705 mln euro
-Në valutë   6.493 mln euro
-Totali         14,198 mln euro

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?