Ekonomi

Eurobondi/ Shqipëria merr 650 mln € në tregun e huaj, eksperti: I nevojshëm për të financuar deficitin! Shqetësim është niveli i borxhit në vend

19 Nëntor 2021, 20:27| Përditesimi: 19 Nëntor 2021, 20:35

  • Share

650 milionë euro ishte eurobondi i 5-të që vendi arriti të emetojë në tregun e huaj, ndërkohë që synimi ishte të merrej deri në 700 milionë euro. Norma e interesit për borxhin e ri ishte 3.75% dhe afat maturimi 10 vite. Ky eurobond është në të njëjtën vlerë me atë të vitit të kaluar, ndërsa norma e interesit është më e lartë, pasi në qershor të 2020 borxhi u mor me interes 3.50%.

Procesi u udhëhoq nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e financave Delina Ibrahimaj, dhe për qeverinë kjo dalje në tregun ndërkombëtar konfirmoi edhe një herë besimin e investitorëve të huaj në qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë.

Ndërkohë për ekspertin e ekonomisë Genti Beqiri, marrja e borxhit ishte ndër të paktat alternativa që ka vendi për të financuar deficitin.

“Është e vështirë në këtë periudhë që ne kalojmë, pas tërmetit dhe pandemisë, që me një buxhet të rënduar prej vitesh të kemi mundësi të rimëkëmbim dhe mbështesim ekonominë pa u mbështetur në këtë element. Marrja eurobondit bëhet për dy arsye për të financuar deficitin buxhetor, por patjetër për të mbështetur edhe pagesën e borxhit që është marrë me interes më të lartë”, pohon ish-drejtori i Agjencisë së Investimeve të Huaja Gent Beqiri.

Beqiri thotë se niveli i borxhit në vend është shqetësues prandaj thekson se duhet të investohet.

“Patjetër që është kambanë alarmi pasi borxhi është rritur, prandaj politikat që bëhen me politikat fiskale dhe buxhetin e shtetit duhet të jenë stimuluese për sipërmarrjen, për sektorët që e kthejnë më shpejt investimin. Ne duhet të fokusohemi në stimulin ekonomik, në thithjen e investimeve të huaja por edhe me investime kryesisht në arsim. Krahu i punës i kualifikuar do të thotë investime në sipërmarrje”, pohon Beqiri.

Me marrjen e eurobondit, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për këtë vit pritet të arrij në 80%, ndërkohë vetëm në tregun e huaj janë marrë 2.550 miliardë euro, eurobonde, ku i pari ishte në 2010 në vlerën e 300 milionë eurove me normë interesi 7.5%.

EUROBONDET E EMETUARA

Viti              Vlera               Interesi

2010         300 mln €             7.5%

2015         450 mln €             4.75%

2018         500 mln €             3.5%

2020         650 mln €             3.50%

2022         650 mln €             3.75%

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tosi: 20/11/2021 14:33

    Po pse shqetesoheni, se mos po i nxirni nga xhepi. Populli dobta haje edhe kete per sapun.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?