Një delegacion i Komisionit për Kontrollin Buxhetor në Parlamentin Europian tha në Tiranë se pavarësisht ecurisë pozitive, mbeten ende shqetësime serioze mbi faktin se si përdoren fondet europiane për Ballkanin. Në përfundim të misionit në Shqipëri, eurodeputetët thanë se kërkohet më shumë angazhim për ndërtimin e një kulture të transparencës dhe se kërkohet progres real për strukturat kundër mashtrimit.
***
Mënyra se si vendet përfituese përdorin fondet e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ishte në qendër të misionit që një delegacion eurodeputetësh realizuan në Mal të Zi dhe Shqipëri.
Fqinji verior rezulton të jetë më përpara në çështjet që lidhen me menaxhimin financiar, auditimin e pavarur apo dhe qasjen ndaj mashtrimit, megjithatë të dy vendet vlerësohet të kenë përparuar me përafrimin e kornizave të tyre ligjore e institucionale me standardet e BE-së.
Për eurodeputetët mbeten ende shqetësime serioze që si do të përdoren fondet për Ballkanin dhe sipas tyre sfidat përfshijnë që nga korrupsioni i rrënjosur e krimi i organizuar, te rreziqet e prokurimit me vonesa kronike në infrastrukturë, trysnia politike mbi organet mbikëqyrëse apo ndjekja e dobët gjyqësore, duke kujtuar në rastin e Shqipërisë, keqpërdorimet e fondeve në të kaluarën.
Abuzimet me financimet në bujqësi çuan dy vjet më parë në bllokimin e programit IPARD.
Por eurodeputeti Tomas Zdechovsky, përmendi dhe raste të tjera
“Shembujt e dështimeve në prokurime publike, sidomos në infrastrukturë dhe transport, tregojnë qartë që disa para janë keqpërdorur, por tashmë po merren masa përmes auditimeve dhe hetimeve të nisura nga Gjykata Evropiane e Auditorëve”.
Sipas tij, kërkohet më shumë angazhim për ndërtimin e një kulture integriteti dhe transparence.
“Qeveria Shqiptare nuk i ka theksuar mjaftueshëm këto çështje, dhe ne jemi të interesuar të shohim progres real në zbatimin e rregullave të reja dhe strukturës kundër mashtrimit. Gjithashtu, ne kërkojmë bashkëpunim të plotë me prokurorinë, për të diskutuar raste konkrete, me qëllim që ligji të jetë i pavarur dhe pa asnjë trysni politike”.
Eurodeputetët u shprehën optimistë se në 2 deri në 3 vitet e ardhshme, Mali i Zi dhe Shqipëria do të tregojnë rezultate të prekshme duke i kushtuar burime zbatimit, duke siguruar pavarësinë gjyqësore dhe të auditimit, si dhe duke mundësuar pjesëmarrjen e shoqërisë civile.
Nga ana e tij, bashkëkryetari i Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, Marco Tarquinio, vlerësoi përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit.
“Mund të konfirmoj se procesi politik i afrimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecën me hapa të sigurt, ndonëse është i vështirë. Por po ecën me vendosmëri”.
Deri tani, Shqipëria ka çelur 5 nga 6 grupkapituj kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse, "Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.
Komente
