Foto ilustruese

Sociale

Europa dixhitalizon kufijtë nga 12 tetori, udhëtarët shqiptarë mund të hasen me vonesa në kufi

2 Tetor, 07:45| Përditesimi: 2 Tetor, 09:06

  • Share

Kush udhëton në vendet e Bashkimit Europian duhet të përgatitet që në kalimin e parë të kufirit në një nga shtetet e BE-së të vonohet deri në tre herë më shumë sesa aktualisht, kur pret që vetëm ti vuloset pasaporta nga oficeri i kufirit. Këto vonesa mund të vijnë pasi atyre do t’u merren shenjat e gishtave dhe do t’u bëhet foto.

Më 12 tetor 2025 nis zbatimin Sistemi i Hyrje-Daljeve (EES), një mekanizëm i ri digjital kufitar që do të zëvendësojë vulat manuale të pasaportës me regjistrim elektronik në kufijtë e jashtëm të 29 vendeve europiane.

SchengenVisaInfo ka publikuar një informacion të detajuar se çfarë do të ndryshojë për shtetasit që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, ku përfshihen dhe ata shqiptarë.

SchengenVisaInfo sqaron se për udhëtarët jo të BE-së, ky sistem i ri do të thotë: marrje shenjash të gishtërinjve, fotografi dhe kohë më të gjata përpunimi gjatë hyrjes/daljes (1.5 deri në 3 herë më shumë gjatë fazës fillestare të zbatimit).

Sistemi do të regjistrojë të gjithë shtetasit jo-BE që udhëtojnë në zonën Schengen për qëndrime afatshkurtra (deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore).

Sipas Komisionit Europian, EES do të zbatohet si për udhëtarët që kanë vizë, ashtu edhe për ata që përjashtohen nga viza.

EES do të mbledhë disa informacione si Imazhin e fytyrës (për të gjithë udhëtarët); Gjurmët e gishtave (vetëm për udhëtarët që nuk kanë vizë); Të dhënat biometrike të pasaportës; Datat dhe vendndodhjet e hyrjes/daljes.

Sistemi do të llogarisë automatikisht sa ditë keni qëndruar në zonën Schengen dhe sa ditë ju mbeten nga kuota prej 90 ditësh.

Të dhënat do të ruhen për 3 vjet (ose 5 vjet, nëse tejkaloni afatin e lejuar të qëndrimit).

Zbatimi do të jetë gradual. Vendet anëtare kanë afat deri më 10 prill 2026 për ta zbatuar plotësisht sistemin. Deri atëherë, në disa pika kufitare do të përdoret EES, ndërsa në të tjera do të vazhdohet me vulat tradicionale në pasaportë.

Sistemi i Hyrje/Daljeve (EES) do të zbatohet në 29 shtete europiane, duke përfshirë të 25 vendet anëtare të BE-së që janë pjesë e Shengenit, si edhe Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.

Jashtë këtij sistemi mbeten Irlanda dhe Qiproja, të cilat do të vazhdojnë të përdorin vulat e pasaportës. Për shembull, nëse fluturoni nga Dublini drejt Parisit, pasaporta ju vuloset kur dilni nga Irlanda dhe më pas skanohet në hyrje në Francë.

Kush duhet të regjistrohet në EES

Sistemi i ri i Hyrje/Daljeve (EES) do të përfshijë çdo shtetas të vendeve jashtë BE-së dhe zonës Shengen, që udhëton për qëndrime të shkurtra, deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Në momentin e parë të regjistrimit, udhëtarët do të japin një foto të fytyrës në kohë reale, ndërsa ata që hyjnë pa vizë do të japin edhe katër gjurmë gishtash. Për ata që udhëtojnë me vizë, gjurmët e gishtave nuk do të kërkohen sërish, pasi ruhen tashmë në sistemin VIS.

Fëmijët nën 12 vjeç nuk janë të detyruar të japin gjurmët e gishtave, por gjithsesi do të fotografohen.

Ky proces synon të përshpejtojë kalimet kufitare dhe të zëvendësojë sistemin e vjetshëm të vulave në pasaportë. Gjatë regjistrimit të parë merret një foto në kohë reale e fytyrës dhe katër gjurmë gishtash për udhëtarët e përjashtuar nga viza.

Në EES nuk regjistrohen qytetarët e BE-së, vendeve të SEE (Norvegji, Islandë, Lihtenshtejn) dhe Zvicrës, si edhe ata të Irlandës dhe Qipros. Përjashtohen gjithashtu poseduesit e lejeve të qëndrimit ose vizave afatgjata (D), si dhe qytetarët e Andorrës, Monakos, San Marinos dhe Vatikani. Nga regjistrimi përjashtohen edhe diplomatët, krerët e shteteve, personeli i NATO-s, si dhe punëtorët kufitarë apo ekuipazhet e anijeve, avionëve dhe trenave ndërkombëtarë.

Pikat kryesore të sistemit të Hyrje-Daljeve (EES)

Fillimi: 12 tetor 2025 (zbatim i pjesshëm deri më 10 prill 2026)

Kush duhet të regjistrohet: Shtetasit jo-BE që vizitojnë për më pak se 90 ditë

Biometria: Foto për të gjithë + 4 gjurmë gishtash për udhëtarët pa vizë

Përjashtohen: Qytetarët e BE/SEE/Zvicrës, poseduesit e lejes së qëndrimit, si dhe shtetasit e Monakos, Andorrës, San Marinos dhe Vatikanit

Afati i ruajtjes së të dhënave: 3 vjet normalisht, 5 vjet nëse tejkalon afatin e qëndrimit

Ku zbatohet: 29 shtete europiane (vendet Shengen/SEE dhe Zvicra)

Përjashtime: Irlanda dhe Qiproja vazhdojnë me vulosje pasaporte

Koha e përpunimit: Pritet të zgjasë 1.5 deri 3 herë më shumë se vulosja aktuale e pasaportës

Kostoja: Pa pagesë (regjistrimi në EES nuk ka tarifë)./Monitor

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?