Milani rrëmben një pikë ndaj Real Betis në stadiumin “Benito Villamarin” dhe mban me 7 pikë vendin e dytë në grupin F të Europa League. Spanjollët kaluan të parët në avantazh me golin e argjentinasit Lo Celso që shënon mes mbrojtësve kuqezi në minutën e 12-të.
Ndërsa reagimi i kuqezinjve erdhi në fraksionin e dytë me golin e Suso kur kishte kaluar diçka më shumë se një orë lojë. Pikë e artë për kuqezinjtë ndërsa Olympiacos mposhti 5-1 Dudelange. Ndërkaq pas ndeshjeve të katërta në grupet e Europa League kanë kaluar më tej 7 skuadra dhe ato janë Chelsea,Arsenal, Lazio, Frankfurt ,Dinamo Zagreb ,Leverkusen dhe Zyrih. Me golin e Giroud, Chelsea fitoi 1-0 ndaj Bate Borisov dhe kryeson me pikë të plota grupin L duke kaluar më tej.
Arsenali ka barazuar pa gola në Londër ndaj Sportingut të Lisbonës por kaq ka mjaftuar që të kalojë në fazën e 1/16 të Europa League. Topçinjtë e kryesojnë grupin E me 10 pikë të ndjekur nga Sporting me 7 të tilla.
Në grupin H Lazios dhe Eintrahtit të Frankfurtit u kanë mjaftuar 4 ndeshjet e para për të siguruar biletën për më tej. Lazio ka mposhtur në “Olimpico” 2-1 Marsejën me golat e Parolo dhe Correa-s dhe me 9 pikë kalon më tej. Gjermanët e Frankfurt fituan në Nikozia 3-2 ndaj Apollon dhe kryesojnë grupin me pikë të plota duke siguruar kualifikimin.