Europa League zhvilloi mbrëmjen e të enjtes (17 prill) katër ndeshjet e kthimit çerekfinale. Për më tej në fazën e radhës një biletë e siguruan Tottenham, Bodo/Glimt, Athletic Bilbao dhe Manchester United. Gjysmëfinalet luhen më 1 dhe 8 maj.
Në "Old Trafford" ishte një mbrëmje dramatike, njësoj siç është ky sezon për Manchester United. Paçka gjithçkaje, "Djajtë" e Amorim siguruan një biletë dhe gjejnë një gjysmëfinale Athletic Bilbaon. Koha e rregullt kundër Lyon u mbyll 2-2, por Man. United shpërdoroi shumë raste.
Anglezët shënuan dy gola në pjesën e parë me Ugarte dhe Dalot, para se Tolisso dhe Tagliafico të barazonin sfidën dhe ta dërgonin në shtesë. Dy pjesët e shtesës ishin për ata me zemër të fortë. Tifozët e United panë të pësonin dy gola nga Cheri dhe Lacazette, paçka se francezët ishin me një lojtar më pak.
Pas këtij momenti, United u zgjua dhe shënoi me Bruno Fernandes nga penalltia, para se Mainoo dhe Maguire të shënonin në sekondat e fundit dy gola me vlerë, çka e kthyen në "magjike" mbrëmjen e United në "Teatrin e Ëndrrave". Për herë të parë në historinë e një kompeticioni madhor të UEFA-s, shënohen pesë gola në shtesë dhe kjo ndodhi me Manchester United - Lyon.
Befasi në "Olimpico", aty ku vendasit e Lazios u eliminuan nga Bodo/Glimt dhe i humbasin pikë Italisë në klasifikimin e përgjithshëm. Koha e rregullt përfundoi 2-0 dhe me rezultatin e përgjithshëm 2-2 sfida shkoi në shtesë. Ishte Castellanos dhe Noslin që dërguan ndeshjen në shtesë për Lazion.
Në minutën e 94 në fushë u fut Elseid Hysaj, teksa Lazio gjeti edhe golin e tretë me Dia. Nuk do ishte e thënë që bardhekaltrit të qetësoheshin, pasi Helmarsen shënoi për norvegjezët dhe me rezultatin e përgjithshëm 3-3 e dërgoi ndeshjen te penalltitë. Miqtë u treguan më të saktë dhe fituan 2-3 nga pika e bardhë. Tchaouna, Noslin dhe Castellanos gabuan te Lazio. Tanimë Bodo/Glimt gjen në gjysmëfinale Tottenhamin.
Europa League, faza çerekfinale - Ndeshjet e kthimit:
E enjte, 17 prill 2025 - 21:00
Ath. Bilbao 2-0 Rangers
Eintracht Frankfurt 0-1 Tottenham
Lazio 3-1 Bodo/Glimt *pas penalltive kalon Bodo
Manchester United 5-4 Lyon *United kalon pas 120 minutave lojë
Faza gjysmëfinale:
Tottenham - Bodo/Glimt
Athletic Bilbao - Manchester United
*Ndeshjet luhen më 1 dhe 8 maj 2025
Rruga drejt finales që luhet në Bilbao (Spanjë) më 21 maj
Komente
