Roma e Jose Mourinho-s do luajë sonte në orën 21:00 një ndeshje tejet delikate kundër Ludogorets, që duhet fituar patjetër, pasi në të kundërt aventura në Europa League mbyllet që në fazën e grupeve. Betis është i kualifikuar më herët, ndërsa Ludogorets dhe Roma renditen të dytët dhe të tretë me 7 pikë, por italianët kanë disavantazhin e përballjeve direkte pasi në Bullgari kanë humbur 2-1. Në konferencën për shtyp Mourinho ka deklaruar se ‘nuk dëshiron të zbresin në Conference League’ dhe beson se stadium plot do jetë një forcë e madhe për Romën.
Ndërkohë një ndeshje të komplikuar ka edhe Lazio në grupin e saj, por të besuarve të Sarri-t do t’u mjaftonte edhe një barazim kundër Feynoord në Holandë. Lazio udhëheq grupin me 8 pikë, po aq sa Sturm Graz që sonte luan kundër Midtjylland në Austri. Në ndeshjen e parë kundër holandezëve Lazio ka fituar 4-2 dhe sonte për rrjedhojë i bën punë edhe një humbje minimale me 1 gol diferencë në rast se Midtjylland nuk fiton kundër Sturm Graz.
Në fushë sonte zbresin edhe Manchester United me Arsenal, por të dy skuadrat angleze e kanë siguruar kualifikimin me kohë. Gjithsesi për United kundër Sociedad me interes është fitorja, pasi vendi i dytë e përplas me skuadrat e mëdha që vijnë nga Champions League. Për Arsenalin vendi i parë është i sigurtë dhe Zurich trajneri Arteta ka mundësinë për të parë lojtarët e rinj.
Sakaq sonte do jetë nata e fundit europiane për Ballkanin e Suharekës që drejtohet nga Ilir Daja. Skuadra e kampionatit nga Kosova tashmë është e eliminuar, por ka udhëtuar në Rumani për të lënë shenjë kundër Cluj.