Finalja Tottenham - Manchester United

Sport

Europa League/ Sot Tottenham - Man. United në Bilbao, përballë dy ekipet më të dobëta për një finale evropiane

21 Maj, 12:30| Përditesimi: 21 Maj, 15:36

  • Share

BILBAO, Spanjë - Të mërkurën e 21 majit në orën 21:00 në "San Mames" të Bilbaos skuadrat e Tottenham dhe Manchester United do diskutojnë trofeun e Europa League në finalen e madhe të sezonit.

Derbi anglez në Gadishullin Iberik, me fituesin e trofeut që nga sezoni i ri do ketë një vend në Champions League. Megjithëse një finale tërësisht angleze, BBC nuk është kursyer duke e quajtur si "finalen më të dobët evropiane".

Në sezonin e rregullt të Premier League, Manchester United ndodhet në vendin e 16-të, ndërsa në vendin e 17-të Tottenham, që kanë mbijetuar. Një trofe i tillë sot do shpëtonte fytyrën për të dyja klubet që shohin të kalojnë një nga sezonet më të dobëta në histori.

Sa i takon Tottenham, Spurs e kanë fituar këtë trofe dy herë kur quhej UEFA Cup në sezonet 1971-72 dhe 1983-84. Ndërkohë Manchester United është fitues në sezonin 2016-17.

Mungesat:

Për Spurs, trajneri Ange Postecoglou nuk do ketë të gatshëm Bergvall, Dragusin, Forster, Kinsky, Kulusevski, Maddison, Reguilon, Scarlett dhe Uerner.

Te United Amorim nuk do mbështetet te de Ligt, Lisandro Martinez dhe Obi.

Ora 15:35
Amorim para finales me Spurs: Fitimi i Europa League nuk e shlyen sezonin, por mund të ndërtojë të ardhmen e Man. United


Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim ka qenë realist në konferencën për shtyp në prag të finales së Europa League kundër Tottenhamit, e cila luhet sot në orën 21:00 në Bilbao. Tekniku portugez theksoi se triumfi në këtë kompeticion nuk do të fshijë sezonin zhgënjyes të "Djajve të Kuq" në Premier League, por mund të shërbejë si një pikë kthese për të ardhmen e klubit.

“Kjo ndeshje nuk do të mbulojë gjurmën negative të sezonit aktual, por do të na ndihmojë ta përfundojmë atë dhe shumë njerëz do ta shohin ekipin tonë në një mënyrë tjetër. Fitimi i një titulli evropian është me të vërtetë i rëndësishëm”, u shpreh Amorim.

Pavarësisht ulje-ngritjeve gjatë sezonit, Amorim beson se skuadra e tij ka treguar potencial kur ka qenë e përqendruar dhe e bashkuar.

“Ne e kemi vërtetuar se kur luajmë lojën tonë dhe jemi të fokusuar, mund të kontrollojmë çdo ndeshje, pavarësisht kundërshtarit apo vendit ku luajmë’’, shtoi portugezi.

Trajneri e vlerësoi rëndësinë e finales jo vetëm si një objektiv afatshkurtër, por si një moment vendimtar për projektin e tij afatgjatë në "Old Trafford".

“Do të jetë e rëndësishme për ne dhe për tifozët tanë. Na duhet ndjenja e fitores, që të na japë forcë për të përballuar të gjitha sfidat që kemi përpara. Kemi ende shumë punë për të bërë në këtë klub”, tha trajneri i United.

Amorim, i cili u emërua në krye të Manchester United për të ndërtuar një skuadër të re dhe konkurruese, ka mundësinë të sigurojë trofeun e parë europian të klubit pas më shumë se një dekade. Fitorja në finalen e Europa League mund të jetë pikënisje një epoke të re për "Djajtë e Kuq".

Ora 14:17
Trajneri i Tottenhamit flet para finales së Europa League, Postecoglou: Nuk jam klloun, këtu për të bërë histori

Trajneri i Tottenhamit, Ange Postecoglou ka dalë në konferencë për shtyp në prag të finales së madhe të Europa League, ku Spurs do të përballen me Manchester United në një përballje historike për klubin londinez (21 maj ora 21:00).

Tekniku australian konfirmoi disa lajme të rëndësishme në aspektin e formacionit: Pap Matar Sarr do të jetë i gatshëm, ndërsa Lucas Bergwijn, Dejan Kulusevski dhe James Maddison do të mungojnë për shkak dëmtimesh.

Në fjalën e tij, Postecoglou refletoi mbi rrugëtimin e tij te Tottenham dhe sfidat me të cilat është përballur që nga ardhja në klub.

“Erdha me objektiva të qarta; të rigjallëroj skuadrën, të ndryshoj stilin e lojës dhe të garoj për trofe. Nuk ka qenë e lehtë, por jam përpjekur t’i qëndroj besnik këtij procesi”, tha ai.

I pyetur nëse ishte i vetëdijshëm që ishte në një “vijë të hollë mes historisë dhe turpit”, trajneri u shpreh qartazi i irrituar.

“Nuk jam klloun dhe nuk do të jem kurrë. Është zhgënjyese të përdoret një term i tillë për dikë që ka punuar për 26 vite pa asnjë favor dhe tani ndodhet në një finale evropiane me një nga klubet më të mëdha në Angli”, tha ai.

Postecoglou theksoi rëndësinë e përgatitjes maksimale për këtë sfidë, duke mos u fokusuar në të kaluarën, por në atë që vendoset “në ditën e ndeshjes”.

“Në një finale si kjo, nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë më parë. Gjithçka vendoset në atë 90 minutësh. Unë jam i përqendruar dhe i bindur që kemi një mundësi të artë për të bërë diçka të veçantë”, vijoi ai.

Trajneri i Tottenhamit përfundoi me një mesazh të fortë.

“Jam shumë i qetë. Çfarëdo që të ndodhë, do të vazhdoj të përpiqem të fitoj trofe, kudo që të jem”, tregoi trajneri i Spurs.

Tottenham kërkon të shkruajë histori duke fituar finalen e parë europiane që nga viti 1984, ndërsa Postecoglou ka mundësinë të vendosë emrin e tij në librin e artë të klubit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen Partizani, a do të ketë drejtësi?