Procesi i privatizimit të klubeve shqiptare ka rezultuar një mish-mash deri më tani, duke krijuar një gropë financiare, që çdo vit thith brenda vetes 'viktimën' e radhës. Ndryshe nga çdo vit, ky i sivjetshmi, ka qenë akoma edhe më sterr për bilancet ekonomike, pasi pandemia e koronavirusit vrau shpresën e mbijetesës për klubet shqiptare.
Edhe ato pak të ardhura që vinin nga biletat u zhdukën që prej muajit shkurt, pasi ndeshjet vijojnë të luhen pa tifozë. Për reklama as që bëhet fjalë, ndaj sot, kur klubet shqiptare të zbresin të luajnë për Europa League, kundërshtarin nuk e shohin vetëm si rival, por më shumë si para ose si mundësia për të zbutur paksa gjullurdinë që të ardhurat shkaktojnë çdo vit në klubet e Superligës.
Për më poshtë (Kategoria e Parë dhe e Dytë) është e kotë të diskutosh. Pasi me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë, shumica e klubeve mbijetojnë me lëmoshë.
Por sot, Kukësi, Laçi dhe Teuta kanë mundësinë që sezonin e ardhshëm të mos lëngojnë. Kjo pasi do të luajnë në turet eliminatore të Europa League. Në orën 16:30 Teuta pret në Durrës Beitar Jerusalem të Izraelit, në orën 19:00 Laçi luan në Azerbajxhan kundër Keshla-s, ndërsa Kukësi pret në Air Albania Slavia Sofia-n.
Ky tur në Europë, për pjesëmarrjen, shpërblehet me 240 mijë euro. Një shifër që nuk duket e vogël, por që mund të shërbejë jo më shumë se për udhëtimet dhe disa rroga të prapambetura.
Në këtë mënyrë lipset që skuadrat të ecin sa më shumë, pasi në rast kualifikimi dhe shkuarja në turin e dytë shpërblehet me 260 mijë euro të tjera, duke e çuar në total shumën e përfituar në 500 mijë euro.
Jo në pak raste pjesëmarrja në Kupat e Europës ka ngritur hije dyshime për klubet shqiptare, pasi kanë humbur me rezultate të thella. Ndonjëherë edhe ngushtë, por në mënyrë të çuditshme. Kjo sepse rruga e shkurtër është fitimi nga bastet, edhe pse e dënueshme nga të gjithë institucionet e futbollit.
Rastet e dënimit nuk mungojnë (Skënderbeu), por vuajtjet i shtyjnë klubet në gjithfarë skenarësh. Për të mos aluduar më tej, më e mira mbetet kalimi i tureve, diçka të cilën Kukësi e ka bërë me shumicë në sezonet e kaluara. Gjithsesi edhe kjo nuk i ka shmangur vonesat në pagesa.
Për ta përmbledhur sot klubet shqiptare nuk luajnë vetëm për rezultat, për lavdi, por edhe për mbijetesën e tyre. Atë mbijetesë që pandemie në çoi në lëngim.