Organizata për mbrojtjen e vlerave të tashëgimisë kulturore “Europa Nostra” i ka dërguar një letër Kryetares të Këshillit të Ministrave të BE-së, Zonjës Nina Obuljen – Koržinek mbi shembjen e Teatrit Kombëtar.
Letra mban datën 18 maj dhe dërgohet në prag të mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave të BE-së, ndërsa u publikua nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Në letër i kërkohet kryetares së këshillit të Këshillit të Ministrave të BE-së, të informojnë të gjithë anëtarët e këshillit se “Europa Nostra” dënon fort shembjen, sipas saj brutale të godinës së Teatrit.
“Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, dhe të hapnin dialogun me shoqërinë civile dhe ekspertët, autoritetet shqiptare vendosën të shfrytëzojnë ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigje për pandeminë COVID19, për të shkatërruar Teatri”, thuhet ndër të tjera në letër.
Letër e Europa Nostra për shembjen e Teatrit Kombëtar Shqiptar në Tiranë
Hagë, 18 maj 2020
Në vëmendjen personale urgjente të
Zonja Nina Obuljen - Koržinek
Ministre i Kulturës
Ushtruese e Detyrës së Kryetarit të Këshillit të Ministrave të BE-së
Re: Dënim i fortë i shembjes brutale të Teatrit Kombëtar Shqiptar në Tiranë
E nderuar zonja Ministre,
E nderuar zonja Kryetare e Këshillit të Ministrave të BE-së,
Në prag të mbledhjes së nesërme (përmes video konferencës) të Këshillit të Ministrave të BE-së, në të cilën Ministrat e Kulturës të BE-së pritet të miratojnë konkluzionet e Këshillit mbi "Nxitjen e bashkëpunimit evropian në lidhje me trashëgimininë kulturore në rrezik", ju bëjmë thirrje që të transmetoni tek të gjithë anëtarët e Këshillit të BE-së dënimin tonë më të fortë për shembjen brutale të Teatrit Kombëtar në Tiranë që u zhvillua dje.
Siç mund ta dini, një aleancë e madhe e përbërë nga artistë, intelektualë, ekspertë të trashëgimisë dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë luftuar - për disa vjet tani - për ruajtjen (me rinovim të nevojshëm) të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Europa Nostra ka shprehur mbështetjen e tyre për këto përpjekje qysh në vitin 2018, gjatë Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore dhe ka përcjellë shqetësimet tona për prishjen e planifikuar të këtij Teatri tek autoritetet më të larta të Shqipërisë. Kohët e fundit, Teatri Kombëtar në Tiranë është përfshirë në listën e vitit 2020 të 7 vendndodhjeve më të rrezikuara në Europë. Kjo u bë publike në 24 Mars 2020 bashkërisht nga Europa Nostra dhe nga partneri ynë i paçmuar Instituti Europian i Bankës së Investimeve. Komisioni Europian - përmes Komisionerit të BE Mariya Gabriel, ka shprehur gjithashtu mbështetjen e tij për mbrojtjen e të gjitha vendeve të përfshira në Listën tonë, përfshirë Teatrin Kombëtar në Tiranë.
Pas përshkallëzimit të rrezikshëm të situatës së javës së kaluar të shkaktuar nga transferimi i përgjegjësisë për Teatrin në Bashkinë e Tiranës dhe një vendim për prishjen e Teatrit - marrë pas dyerve të mbyllura - nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, Europa Nostra bëri një deklaratë publike duke kundërshtuar çdo përpjekje për prishjen e një ndërtese emblematike të vendosur në ansamblin historik të mbrojtur në qendër të Tiranës, dhe të mbështetur nga ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile. Komisionerja e BE, Mariya Gabriel, të nesërmen u kërkoi autoriteteve shqiptare që të angazhohen në një dialog konstruktiv me shoqërinë civile dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore përpara se të marrin ndonjë vendim të pakthyeshëm. Për më tepër, Presidenti i Republikës kishte parashtruar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit.
Në vend që të merrnin kohë për të shqyrtuar ligjshmërinë e vendimit të tyre, dhe të hapnin dialogun me shoqërinë civile dhe ekspertët, autoritetet shqiptare vendosën të shfrytëzojnë ditën e fundit të masave të veçanta të urgjencës shëndetësore të ndërmarra si përgjigje për pandeminë COVID19, për të shkatërruar Teatri. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, 17 maj, ata dërguan një numër të madh policësh për të rrethuar Teatrin dhe për të arrestuar rreth 30 artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile që kanë mbrojtur teatrin 24/24 orë në ditë për dy vitet e fundit. Ata gjithashtu kanë dërguar buldozerë për të prishur brutalisht teatrin: jo vetëm që ata fshinë dhe shndërruan në rrënoja një bazë të rëndësishme të historisë së hershme të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë, por edhe të gjitha objektet dhe arkivat që formonin një pjesë të kujtesës së këtij institucion i rëndësishëm kulturor.
Europa Nostra, Zëri Europian i Shoqërisë Civile i përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore, dëshiron të përcjellë te Ministrat e Kulturës të BE-së shprehjen e dënimit tonë të fortë për këtë akt brutal. Ne besojmë se 17 maji ishte një ditë e trishtuar për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe në Europë në tërësi. Dhe ishte gjithashtu një ditë e trishtuar për demokracinë dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Europë në tërësi.
Ne i kërkojmë Ministrat e BE-së të ritheksojnë që mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe e kujtesës sonë kulturore dhe historike përfaqëson një nga vlerat themelore të BE-së dhe të shprehë solidaritetin e tyre me të gjithë qytetarët në Shqipëri, të cilët janë të përkushtuar për ruajtjen e identitetit kulturor të vendit të tyre, i cili bën pjesë në historinë dhe kulturën e përbashkët dhe të larmishme të Evropës.
Ne gjithashtu kërkojmë nga Ministrat e Kulturës të BE të insistojnë në rëndësinë e kulturës dhe trashëgimisë kulturore brenda procesit të vazhdueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Europa Nostra qëndron në dispozicion të Këshillit të Ministrave të BE-së, dhe të të gjitha institucioneve të BE-së për të nxitur bashkëpunimin europian për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, si një katalizator i fuqishëm për të ardhmen e Evropës, për të cituar Manifestin tonë të Ditës së Evropës të miratuar më 9 maj 2020.
Me respekt dhe përzemërsi i juaji,
Presidenti Ekzekutiv Dr Hermann Parzinger
Kopje për:
Zonja Mariya Gabriel, Komisioneri e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin, Rininë dhe Sportin
Z. Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
Z. Josep Borrell, Zëvendës President i KE & Përfaqësues i Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë