“Irani mirëpret çdo masë konstruktive që synon të shpëtojë marrëveshjen bërthamore të 2015”, kështu është shprehur zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Abbas Mousavi, pas masës së miratuar nga Britania, Franca dhe Gjermania të martën për krijimin e një mekanizmi që t’i jap zgjidhje mosmarrëveshjeve të shkaktuara në marrëveshjen bërthamore të 2015-ës me Iranin.
"Si në të kaluarën, Irani është plotësisht i gatshëm të marrë çdo masë konstruktive që synon të shpëtojë këtë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, dhe mbështet çdo iniciativë në këtë drejtim. Po ashtu, sqarojmë për të gjithë dhe veçanërisht për tre palët evropiane të marrëveshjes se çdo shkelje e premtimeve, qëllimeve të këqija dhe masave jo konstruktive do të përgjigjet në mënyrë serioze dhe të përshtatshme," shtoi ndër të tjera zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Mousavi.
Vërejtja e Musavi është një reagim pas akuzave nga ana e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë se Irani ka shkelur paragrafin 36 të traktatit bërthamor të vitit 2015 dhe kërcënimit se do të vendosin sanskione të reja, deri në largimin e vendeve europiane nga marrëveshja.
Vendet evropiane thanë që ndërmorën këtë veprim (krijimin e mekanizmit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve) pas vendimit të Teheranit për të hequr dorë nga angazhimet e tij bërthamore gjatë muajve të fundit.
Zëdhënësi iranian e dënoi lëvizjen e evropianëve si një hap "pasiv", duke thënë se Irani ka filluar mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që prej një viti më parë, por "asgjë e re nuk ka ndodhur në praktikë".